Revokohet gjykimi i shkurtuar/ Nis nga e para procesi për ish-kryeprokurorin

Me një lëvizje taktike, ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, rikthen në pikën zero procesin penal ndaj tij. Njeriu që drejtoi institucionin qendror të akuzës për 5 vite me radhë, u shfaq papritmas në Gjykatën e Posaçme, ndërsa kishte munguar në çdo seancë të mëparshme.

Ai i kërkoi Gjykatës të revokonte gjykimin e shkurtuar dhe procesi të zhvillohej me procedurë të zakonshme, ku të ketë mundësinë të paraqesë prova të reja. Kërkesa u pranua nga trupa gjykuese dhe në këtë mënyrë procesi penal ndaj ishKryeprokurorit do të rinisë nga e para.

Dje pritej që Llalla, i cili për gati 3 vite e ka shmangur përballjen me drejtësinë, të paraqiste argumentet e mbrojtjes dhe Gjykata më pas të shpallte verdiktin, përderisa SPAK e kishte thënë fjalën e fundit duke kërkuar dënimin me burg për ish-Kryeprokurorin.

I rishfaqur pas shumë kohësh në dyert e godinës së drejtësisë, Llalla tha se do t’i shkojë çështjes deri në fund dhe se do të jetë prezent për të ndjekur vetë seancat.

Nga ana e saj, GJKKO ka vendosur që seanca e radhës ndaj ish-Kryeprokurorit Llalla të zhvillohet më 20 prill, në orën 09:00.

Ai ndodhej në seancë së bashku me avokatin e tij, ku paraqitën mbrojtjen. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 2 vite burg për Llallën, i cili akuzohet për veprën penale të “Deklarimit të rremë të pasurisë”.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij i ulet 1/3 e dënimit, çka do të thotë se SPAK kërkoi 1 vit e 4 muaj burg.

Prokuroria ka kërkuar edhe dënim plotësues, që për 5 vite Adriatik Llalla të mos ushtrojë asnjë funksion publik.