Rrjeti shqiptaro-bullgar i drogës në Belgjikë, burg për 7 anëtarë të bandës

Nëntë të dyshuar që u arrestuan të premten në një aksion ku u shkatërrua rrjeti shqiptaro-bullgar i drogës dolën dje para gjykatës së Brukselit. Për 7 prej tyre është caktuar masa ‘arrest me burg’ për një muaj, ndërsa për dy të tjerë masa do jepet të martën.

Banda përdorte automjete të pajisura me ndarje të fshehura për të transportuar drogën që vinte nga Holanda, pas ruajtjes në vende të ndryshme në Belgjikë, në Mbretërinë e Bashkuar. Të premten, me ndihmën e forcave të ndryshme të policisë federale dhe lokale, hetuesit arritën të kapnin dy dërgesa ndërkombëtare droge, në Aalst dhe Ypres në Belgjikë. Dymbëdhjetë kontrolle shtëpish u kryen gjithashtu në Halle-Vilvoorde (Meise, Grimbergen, Diegem dhe Wezembeek-Oppem), Flanders Lindore (Sint-Niklaas, Evergem dhe Aalst) dhe Bruksel (Evere, Sint-Gillis, Auderghem, Sint-Pieters-Woluwe dhe Schaerbeek).

Në kuadër të këtij aksioni u arrestuan 11 persona dhe u sekuestruan 12 armë zjarri, 40 kilogramë kokainë, 13 kilogramë heroinë, afërsisht 100 mijë euro para të gatshme, makina për numërimin e parave dhe automjete të ndryshme, duke përfshirë disa traktorë dhe rimorkio dhe kamionë. Nga 11 personat e arrestuar, gjithsej dhjetë janë sjellë para gjykatës, ndërsa njëri prej tyre është liruar.