SHBA e katërta në botë për nga numri i të prekurve me koronavirus

Në Nju Jork guvernatori Andrew Cuomo tha të shtunën se zyrtarët e shtetit po bëjnë përpjekje për të siguruar furnizime me pajisje të nevojshme mjekësore, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus u rritën mbi 10,000 në mbarë shtetin.

Autoritetet po shqyrtojnë katër vendndodhje të mundshme për ngritjen e spitaleve të përkohshëm, të cilat do të administrohen nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë.

Guvernatori tha gjithashtu se 1 milion maska N-95 po dërgohen në qytetin e NjuJorkut, ndërsa 500 mijë të tjera në Long Ajlënd. Ai tha se po bën përpjekje për furnizim me më shumë veshje të posacme kirurgjikale ndërsa kompanitë që prodhojnë veshjeve tashmë po prodhojnë maska.

“Po bëhet cdo gjë që është e mundur”, tha ai, duke shtuar: “po i biem kryq e tërthor botës për të gjetur pajisje mjekësore”.

Nju Jorku numëron 10.400 raste me koronavirus ndërsa 1600 ndodhen në spital.

Rrugët, sheshet e autostradat ishin të shkreta në pjesën më të mëdha të botës të shtunën ndërsa oraret e kufizimeve apo vendimet për izolim të përgjithshëm janë shtuar në shumë vende, përballë një virusi që po përparon me shpejtësi e që po krijon probleme të rënda për sistemet shëndetësore në mbarë globin.

Tre shtete amerikane me një popullsi në total prej 70 milionë kanë marrë vendim të detyrojnë banorët e tyre të qëndrojnë shtëpi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Kalifornia e nisi të premten pasuar nga shteti i Nju Jorkut dhe Ilinoisit këtë fundjavë. Ndërkohë po përgatiten të bëjnë të njëjtën gjë, shtetet e Konektikatit dhe Oregonit.

Bavaria u bë shteti i parë gjerman që u kërkoi banorëve të qëndrojnë në shtëpi, përveçse në rastet kur duhet të shkojnë në punë, të blejnë ushqime, të kryejnë vizita mjekësore apo aktivitet fizik. Policia po raporton gjithnjë e më pak njerëz që shkelin kufizimet krahasuar me ditë më parë.

Kolumbia u bë vendi i fundit i Amerikës së Jugut që njoftoi një vendim për izolim. Sri Lanka ndërkohë mori vendim për të mbyllur të gjitha autostradat në fundjavë.

Numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Afrikë u rrit mbi 1.000 të shtunën, sipas qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Të paktën 40 nga 54 vendet e Afrikës kanë njoftuar raste personash të infektuar.

Më shumë se 275,000 raste janë konfirmuar globalisht, përfshirë mbi 11,000 vdekje, sipas të dhënave që raporton universiteti “Johns Hopkins”. Të paktën 88,000 persona rezultojnë të jenë shëruar në rang botëror.

Në Britani, e cila qëndron për nga shifrat pas Italisë, Spanjës dhe Francës për nga përmasat e përhapjes së virusit, sistemi shëndetësor i vendit po pëson probleme të mëdha. Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i financuar nga shteti ka rreth 4,000 shtretër për terapi intensive dhe rreth 5,000 pajisje për frymëmarrje artificiale. Zyrtarët thonë se nevojat do të jenë shumë më të mëdha në javët e ardhshme. Britania u ka kërkuar 65 mijë infermierëve e mjekë në pension që të kthehen në punë.

Kina raportoi të shtunën se kontinenti i saj nuk kishte raste të reja me COVID-19 të infektuar brenda vendit, për të tretën ditë me radhë, por njoftoi 41 raste të infektuar nga jashtë. Kufizimet në lëvizje po lehtësohen gradualisht në Kinë, ndërsa vendi po përpiqet të rindezë motorët ekonomikë duke mbajtur nën kontroll sëmundjen.

Në SHBA kufizimet në lëvizje hynë në fuqi të shtunën në Illinois dhe në Nju Jork hyjnë në fuqi të dielën. Të gjithë punonjësve e bizneseve që ofrojnë shërbime jo jetike do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, përjashtime do të ketë vetëm për raste të tilla si blerje ushqimesh, ilaçesh dhe kryerje të aktivitete fizike.