Tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë ka prekur 23 milionë njerëz, duke përfshirë 1.4 milionë fëmijë, ka vlerësuar një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Nevojat humanitare të Sirisë ishin veçanërisht të mëdha në krahasim me kapacitetin më të fortë të Turqisë për t’iu përgjigjur krizës, tha zyrtari i lartë i urgjencës i OBSH-së, Adelheid Marschang.
OBSH tha se po dërgonte furnizime emergjente, duke përfshirë pajisje kirurgjikale urgjente, pasi zonat përreth kufirit sirian përballen me ndikimet e tërmeteve, luftës civile dhe shpërthimit të kolerës.
“Në të gjithë Sirinë, nevojat janë më të lartat pas gati 12 vitesh krize të zgjatur dhe komplekse, ndërsa financimi humanitar vazhdon të bjerë”, tha Marschang.