Shpërthen një tjetër skandal: “Na dhunoi dhe ktheu policët në roje nate për Salillarin”/ Banorët e Lumasit padisin në SPAK Ardi Veliun

Banorët e fshatit Lumas në Kuçovë dorëzuan në SPAK një kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ata kërkojnë ndjekje penale ndaj Veliut për veprën penale “Shpërdorim detyre”  parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260i Kodit Penal

Banorët thonë se kreu i policisë së shtetit jo vetëm ka urdhëruar të ushtrohet dhunë ndaj banorëve, por dhe efektivët janë përdorur si roje nate për firmën “Salillari” e cila ishte kontraktuar nga bashkia Kuçovë për të ndërtuar ujësjellësin mbi kanionin e lumit Sinec.

Dhuna në protesta

Banorët në kallëzimin e dorëzuar kreut të SPAK shkruajnë se kanë dyshime se Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i ka dhënë urdhër punonjësve të policisë së Beratit dhe Kuçovës të ushtrojnë dhunë ndaj tyre gjatë protestave paqësore në mbrojtje të burimit të ujit në kamionin e Lumit Sinec. Zona është e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre , me Vendimin e Këshillit të Ministrave 676  datë 20.12.2002.

“Gjatë këtyre tubimeve paqësore  të realizuara nga ana jonë jemi hasur me dhunë të ushtruar nga punojësit e  policisë Berat dhe Kucovë ndaj banorëve të fshtatit Lumas. Për të cilët kemi dyshime se bëhen më urdhër të Drejtuesit të Policisë së shtetit Ardi Veliu, pasi nuk ka mundësi që edhe pas ankesave tona të shumta dhuna e ushtruar nga punojësit e policisë së shtetit ndaj nesh nuk ka ndaluar. Për më tepër që punojës policie të shumtë në numër kanë qënë prezentë cdo ditë duke i dalë krahë  subjektit privat i cili ka marrë përsipër të ndërtojë këtë ujësjellës” shkruhet në kallëzim.

Policët roje të Salillarit

Më 14 tetor 2020 Bashkinë Kuçovë ka  nxjerrë një leje ndërtimi të ujësjellësit mbi Kanionin e Lumit Sinec.Ndërtimi i ujësjellësit ishte për fshatrat: Lumas, Pëllumbas, Shqezë, Vodez, Bardhaj, Krekëz, Koritëz.

Banorët akuzojnë policinë e shtetit se është vënë në funksion të subjektit ndërtues “Salillari”.

Më 29 korrik 2021 Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan pas inspektimit të kryer nga inspektorët përkatës, ka konstatuar se janë kryer punime brenda zonës së mbrojtur të kanionit të lumit Sinec.

“Policia është vënë në shërbim të këtij subjekti jo vetëm gjatë zhvillimit të tubimeve por duke u kthyer edhe në roje private e këtij subjekti duke ruajtuar automjete e kësaj firme edhe gjatë orëve të natës. Një veprim i tij na  bën të dyshojmë për veprime korruptive të realizuara  ndërmjet Drejtuesit të Policisë së Shtetit dhe subjektit privat i cili po kryen punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi” vijohet në Kallezim.

Gjithashtu ata shkruajnë se dyshojmë për abuzime në tenderin dhe veprime të kundraligjshme të Drejtusit të   Policisë së Shtetit  në tenderin e publikuar në Buletinin Nr. 28, datë 16 Korrik 2018, me nr. REF: -68060-05-09-2018.

“Sipas këtij tenderi, nga policia e shtetit një makinë është marrë me qira 50 euro në ditë që do të thotë 1500 euro në muaj,  shumëzuar me 12 muaj del 18000 euro në vit, dhe shumëzuar kjo e fundit me 4 vjet del  72000 euro për katër vjet.  Që do të thotë se me këtë vlerë që  paguhet qeraja e  një automjeti do të ishtë blerë ky automjet dhe ndoshta edhe më shumë, të cilat edhe pas katërvjecarit të mbarimit të kësaj kontrate do të ishin në pronësi të policisë së shtetit. Duke patur dyshime të shumta në këtë tender kërkojmë nga ana juaj hetimin e ketij tenderi” thuhet në Kallezim.

Pak ditë më parë, ishte prokuroria e Beratit, ajo që i dha të drejtë banorëve të Lumasit, të cilëve u pushoi ndjekjen penale, duke argumentuar se protesta e tyre është e ligjshme dhe kushtetuese.