Shqipëri: Situatë kritike në Shkodër prej përmbytjeve

Rreshjet intensive të shirave ditët e fundit, shkritrja e dëborës në basenet e lumenjve Drin dhe Buna kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në veri dhe verilindje të Shqipërisë, sidomos në Qarkun e Shkodrës.

 Lagjet pranë Liqenit të Shkodrës u përmbytën të enjten,  (11.02) pasi ujrat e liqenit arritën në kuota maksimale dhe vërshuan në ultësirat pranë tij ku niveli i ujit ka arritur 40 – 50 centimetra lartësi.

 ” I bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë  Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari, minimizimin e pasojave tek pronat dhe pasuritë e tyre në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar për shkak të pandemisë COVID-19” ,  theksoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në median sociale.

Ai e konsideroi “shumë serioze situatën në terren, që kërkon pa vonesë masa efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara dhe bagëtive nga uji”, vuri në dukje presidenti Meta në apelin e tij drejtuar qeverisë Rama, të enjten në mbrëmje.

Burime zyrtare thanë për DW se të enjten u përmbyt hyrja e qytetit të Shkodrës nga dalja jashtë shtratit të lumit Buna. Sinoptikanët paralajmërojnë vazhdimin e rreshjeve të  shiut, gjë që rrezikon përsëritjen e përmbytjeve massive në qarkun e Shkodrës si në vitin 2010, kur nën ujë pati 8 mijë hektarë tokë dhe dhjetra fshatra e komuna të përmbytyra.

Harta e përmbytjeve u zgjerua  (11.02) me 1025 hektarë, Sipërfaqja totale e tokës së  përmbytur është 5 300 hektarë. 350 banesa janë gjithashtu të përmbytyra.

Forcat  e Armatosura në ndihmë të banorëve

Automjete të larta transporti dhe varka të ushtrisë kanë mbërritur në zonat e përmbytyra në veri dhe verilindje të Shqipërië. Me ndihmën e tyre janë evakuuar familje në rrezik në lagjet periferike të Shkodrës, pranë liqenit dhe lumit Buna. Ushtria po mbështet edhe evakuimin e bagëtive dhe të gjësë së gjallë nga fermat bujqësore.

Rreshjet e dendura të shirave nisën sivjet në javën e parë të janarit dhe përmbytën tokat dhe lagjet pranë lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës. Brenda një muaji harta e përmbytjeve është zgjeruar dhe dëmet e shkaktuara për fermerët e zonës së Shkodrës janë shumë të mëdha. Shpallja e ” Gjendjes së fatkeqësisë natyrore” presupozon edhe kompensimin nga shteti të dëmeve të fermerëve dhe qytetarëve prej përmbytjes./DW