Shtyrja e dozës së vaksinës/ Flasin ekspertët: Do të sjell shumë mutacione

Britanikët po e vonojnë dhënien e dozës së dytë për të vaksinuar sa më shumë qytetarë. Por kjo mund të çojë në më shumë mutacione, paralajmërojnë ekspertët.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn për shkak të dozave të pakta të vaksinës kërkoi verifikimin e mundësisë për vonesën e dozës së dytë të vaksinës. Pas verifikimit të të dhënave, Komisioni i Përhershëm i Vaksinës në Gjermani, STIKO u shpreh kundër shtyrjes së dozës së dytë. „Dhënia e dozës së dytë të vaksinës duhet të pasojë brenda hapësirës kohore të përcaktuar nga studimet e bëra (aktualisht 42 ditë)”, shkruan STIKO në të dhënat e aktualizuara të rekomandimit të vaksinës.

STIKO i sheh dy vaksinat e lejuara të BioNTech dhe Moderna të krahasueshme në lidhje me efektshmërinë, sigurinë dhe efektet anësore, por thekson, se doza e dytë duhet të pasojë me të njëjtin preparat si doza e parë. „Për momentin nuk duhen kombinuar në asnjë mënyrë dy vaksina të ndryshme”, thekson kreu i Komisionit të Përhershëm të Vaksinimit, STIKO, Thomas Mertens. „Për këtë nuk kemi asnjë lloj të dhëne.”

Në Britaninë e Madhe autoritetet e shëndetësisë vendosën për shkak të variantit të ri mjaft infektues të virusit për të vonuar dhënien e dozës së dytë, me qëllim që të marrin sa më shumë njerëz dozën e parë. Autoritetet britanike janë të mendimit, se një dozë e dyte deri në 12 javë me vonesë nuk ndikon në efektshmërinë e vaksinës. Pavarësisht rrugës së përzgjedhur nga britanikët, ajo që është e qartë, është se një dozë e dytë është detyrimisht e nevojshme, sepse ajo e sjell përforcimin e duhur për krijimin e imunitetit të trupit.

 

Autoritetet e liçensimit kërkojnë respektimin e rregullave të vaksinës

Komisioni gjerman STIKO me rekomandimin e tij ka të njëjtin qëndrim si Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA që e sheh me skepticizëm propozimin e britanikëve: Vërtet që nuk është përcaktuar shprehimisht një kufi i fundit për distancën kohore mes dy dozave të vaksinës së BioNTech/Pfizer, por prova e efektshmërisë bazohet në një studim, në të cilin ofrimi i dozave pasonte në një distancë kohore nga 19-42 ditë, shkruan EMA. Dhënia e dozës së dytë në një distancë kohore prej 6 muajsh nuk përputhet me përcaktimet dhe kërkon një ndryshim të lejes së vaksinës si edhe më shumë të dhëna klinike. Edhe autoriteti amerikan i medikamenteve, FDA ka paralajmëruar nga ndryshimi i distancës kohore për dozën e dytë të vaksinës.

Kurse ekspertë të vaksinës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e quajnë të pranueshme shtyrjen e dozës së dytë tek vaksina e BioNTech/Pfizer. Në raste të jashtëzakonshme një shtrirje kohore me disa javë është e mundur, tha kreu i grupit të ekspertëve për imunizimet të OBSH, SAGE, Alejandro Cravioto para mediave në fillim të janarit.

Ulet efekti tek më të moshuarit?

Sipas ekspertëve gjermanë të STIKO-s, vonesa në dhënien e dozës së dytë mund të dobësojë veprueshmërinë e vaksinës tek më të moshuarit. Për këtë arsye, Komisioni i Përhershëm i Vaksinës vendosi kundër ndryshimit të skemës, tha kreu i STIKO-s, Thomas Mertens për Science Media Center (SMC). Hapësira kohore për pohime të qëndrueshme është ekstremisht e shkurtër, për këtë arsye nuk mund të thuhet asgjë për imunitetin e vazhdueshëm tek personat e moshuar. Përvojat me vaksinimet për sëmundje të tjera të bëjnë të kesh drojën, se antitrupat pas vaksinës së parë tek personat e moshuar mund të shuhen shumë shpejt.

Mutacionet mund të kthehen në problem global

Skema britanike e shtyrjes së dozës së dytë mund të kthehet në problem global, paralajmëron Florian Krammer, studiues i vaksinës në „Icahn School of Medicine” në Nju Jork. Ekziston mundësia, që një ndryshim i tillë rrit përqindjen e mutacionit të virusit, sipas Krammer. Pas vaksinës së parë numri i antitrupave neutralizues është ende i ulët, kështu që mund të ndodhë të arrihen infektime josimptomatike. Në raste të tilla, ka mundësi për krijimin e varianteve të reja të virusit, të cilat janë rezistente ndaj këtyre antitrupave. Se sa i madh është ky rrezik, kjo është e vështirë të thuhet, por me gjasa ai është i lartë, „sidomos, kur ka shumë infeksione në popullsi”, si aktualisht në Britaninë e Madhe. Variante të tilla mund „të bëhen një problem global dhe mund të kthehen në problem edhe për kandidatë të tjerë vaksinash. Nuk duhet t’i hyjmë këtij rreziku”, thekson studiuesi Florian Krammer./DW