Tragjedia e Gërdecit/ Gjykata kundër Korrupsionit cakton datën: Fatmir Mediu del para togave të zeza në 27 korrik

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu do të dalë para togave të zeza në datë 27 korrik 2021. Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka caktuar sot datën për politikanin shqiptar që drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes në kohën e shpërthimit në Gërdec.

Dy muaj më parë Prokuroria Speciale SPAK bëri revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të dhënë menjëherë pas tragjedisë, e cila kishte pushuar hetimet për Fatmir Mediun duke qenë se ai kishte imunitet. Sipas SPAK, Mediu tashmë nuk ka më imunitet dhe duhet të përballet me drejtësinë.

Gjyqtari i posaçëm që do të gjykojë ish-ministrin e Mbrojtjes do të jetë Erjon Çela.

Ishin prindërit e djalit 7 vjeçar që humbi jetën në Gërdec, Feruzant dhe Zamira Durdaj, të cilët iu drejtuan SPAK për rinisjen e hetimeve. 26 persona mbetën të vrarë dhe 27 të tjerë u plagosën rëndë në shpërthimin e 15 marsit në 2008 në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

Pjesë nga njoftimi i SPAK, dy muaj më parë:

“Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.