Vaksina anti-COVID, Kuvendi miraton më 28 janar marrëveshjen me Pfizer

Në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar më 28 janar, Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë marrëveshjen Pfizer për vaksinën anti-COVID. Kryeministri Edi Rama në fillim të vitit 2021 deklaroi se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza nga vaksina nga kompania Pfizer.

Në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar më 28 janar, Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë marrëveshjen Pfizer për vaksinën anti-COVID.

“Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V., dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik, dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anti-covid-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë”

Kryeministri Edi Rama në fillim të vitit 2021 deklaroi se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksine nga kompania Pfizer. Ai tha se më shumë se 10 mijë dozat e para do të mbërrijnë në javën e tretë të muajit janar ndërsa mbi 30 mijë të tjera do të mbërrijnë në shkurt.

Por procesi i vaksinimit ka filluar dy ditë më parë, për shkak se Shqipëria arriti të sigurojë dhe 975 doza të tjera. Kryeministri Rama u shpreh se ato janë dhuratë nga një vend mik, emrin e të cilit nuk e bëri të ditur.

Fillimisht ka filluar procesi i vaksinimit për kategorinë më të rrezikuar, atë të mjekëve. Ditën e parë u vaksinuan mjekët Najada Çomo, Tritan Kalo, Pëllumb Pipero dhe kryeministri Edi Rama. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në stadiumin ‘Air Albania’ ku bëhet vaksinimi, do të vaksinohen 60 persona në orë. Pritet që në ditët në vijim të hapen dhe qendra të tjera vaksinimi./Shqiptarja.com