Várhelyi: Shpresojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri

BE nxit Tiranën të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHRIT. Sistemi zgjedhor jep garanci të mjaftueshme dhe se procesi zgjedhor “po zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

Në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asocimit BE – Shqipëri, të zhvilluar të hënën (01.03.) në Bruksel,  zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe sigurim në procesin zgjedhor i standarteve demokratike ndërkombëtare, zunë një vend qëndror.

Pas përfundimit të këtij takimi, Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi,  deklaroi se  “BE shpreson që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme që  të kemi provën e parë,  të madhe të funksionimit të demokracisë shqiptare dhe që pas zgjedhjeve të vazhdojmë punën menjëherë,” bën me dije delegacioni i BE në Tiranë.

Olivér Várhelyi citohet të ketë thënë të hënën në Bruksel se sistemi zgjedhor jep garanci të mjaftueshme dhe se përgatitjet e për procesi zgjedhor “po zhvillohen në mënyrë gjithëpërfshirëse”

” Së pari kemi patur një marrëveshje mes partive parlamentare dhe jashtëparlamentare për reformën zgjedhore, gjë që është një element i ri në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Kjo sjell garanci lidhur me parregullsitë në procesin e votimit, që janë trajtuar si një ꞔështje  e rëndësishme në rekomandimet e ODIHR-it, të ndjekura nga opinion i Komisionit  të Venecias, për të cilin qeveria dhe partitë politike kanë rënë dakord. Së treti në zgjedhje do të marrin pjesë vëzhgues ndërkombëtarë. BE do të mbështesë ardhjen  dhe praninë e tyre në këto zgjedhje”, theksoi Olivér Várhelyi.

Ai u ndal edhe në fenomenin  e blerjes së votave, që ka karakterizuar pothuaj të gjitha proceset zgjedhore në Shqipërinë postkomuniste.

“Duam zbatimin me forcë të ligjit. Duam të shikojmë të gjitha përpjekjet nga organizatorët  e zgjedhjeve kundër blerjes së votave,” citohet të ketë thënë Olivér Várhelyi.

Josep Borell: Kandidatë me integritet në listat zgjedhore të  partive

Çështja e nxehtë e shmangies së pranisë në listat e kandidatëve të personave me rekorde kriminale në të kaluarën  e tyre ishte gjithsashtu në fokus të takimit të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri, të zhvilluar të hënën (01.03) në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikën e Jashtme Josep Borell u bëri thirrje forcave politike të Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, që  “të bëjnë ꞔmos për të siguruar që në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare e 25 Prillit të ketë njerëz me integritet”.

Borel theksoi se dekriminalizimi i listave  “është tregues i rëndësishëm që Shqipëria dëshiron vërtet të luftojë korrupsionin”. Ai e cilësoi luftën kundër korrupsionit “një ndër  aspektet dhe përparësitë kyçe për Shqipërinë dhe demokracinë funksionale”.

Klima e polarizuar politike në fushatën elektorale që ka nisur “de facto” edhe pse sipas Kodit Zgjedhor, pra ” de jure” duhet të fillojë në 25 mars  është një ꞔështje tjetër, për të cilën Borell ka dhënë mesazhin e tij.

” Polarizimi i skajshëm  nuk është shenjë e pjekurisë politike, nuk i shërben vendit, pasi pengon progresin  dhe nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë”.

Deklarata e përbashkët – vlerësim për reformat

Në këtë deklaratë të palëve në përfundim të takimit  të Këshillit të Stabilizim-Asocimit BE- Shqipëri,  u vlerësua progresi në reformën në drejtësi, respektimi i të drejtave themelore të njeriut,  ekonomia, ndërlidhshmëria rajonale dhe agjenda e gjelbër. Komisioni Europian vlerësoi që Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për  nisjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, që shënon hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Vlerësim të posaçëm mori procesi i vetting-ut, kthimi në funksionalitet i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe fillimi i punës  së  organeve të reja të drejtësisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Burime nga zyra e shtypit në Kryeministri, citojnë kryeministrin  Edi Rama të ketë vlerësuar deklarimin nga Komisioni Europian që Shqipëria ka  përmbushur kushtet për konferencën  e parë ndërqeveritare të BE. Ai adresoi  kritika ndaj BE lidhur me përjashtimin  e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga plani i BE për vendet anëtare lidhur me vaksinat anti-Covi-19.

“Ndërsa po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet, edhe pse nuk është zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”, tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp, duke lënë të kuptohet se Shqipëria mund të blejë vaksina anti-Covid-19 nga Kina dhe Rusia.