Videoja e rreme e terrorit/ Ambasadori spanjoll kryqëzon Ramën: S’ka lidhje me Spanjën! Rama: Rashë viktimë…

Kryeministri Edi Rama publikoi në profilin e tij në Facebook një video, ku shikohej se si policia dhunonte barbarisht disa qytetarë që kishin dalë në rrugë.

Rama tha se kjo video ishte bërë në Spanjë dhe se nëse nuk do të respektoheshin rregullat e vëna në vendin tonë do të do përdorej e njëjta dhunë. Lidhur me këtë gjë reagoi edhe ambasadori spanjoll në vendin tonë. Ai tha se kjo video nuk ka asnjë lidhje me Spanjën.

Megjithëse Ambasada e Spanjës është krejtësisht dakord me rekomandimet e Kryeministrit mbi nevojat e respektimit të masave kufizuese për të mirën e shëndetit të të gjithëve, më vjen shumë keq që janë shpërndarë disa imazhe që nuk kanë të bëjnë fare me Spanjën.

Pas kësaj ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ai e ka pranuar se kjo video nuk është bërë në Spanjë, por është bërë në Algjreri. Në reagimin e tij, Rama kërkon falje dhe thotë se videon ia kishte nis një shok nga Italia.

Reagimi i plotë i Ramës:

Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”! E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit dhe tani mora vesh që qenkan pamje nga Algjeria! Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital” Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!