Vrasja e biznesmenit në Ksamil: Autorët e pritën para shtëpisë, e qëlluan me pistoletë sapo parkoi makinën, kamerat e hotelit kanë filmuar ngjarjen

Gramoz Memaj, mbeti i vdekur mbrëmjen e djeshme pas një atentati me armë zjarri.  Biznesmeni nga Ksamili dyshohet se është ndjekur nga autorët dhe sapo ka mbërritur pranë shtëpisë është qëlluar për vdekje.

Memaj prej vitesh kishte punuar si emigrant në Angli, por prej 10 vitesh ishte kthyer në Ksamil dhe jetonte bashkë me nënën e tij. Banorët e njihnin si një person të qetë dhe pa probleme në zonë. Gramoz Memaj jepte shtëpi me qira gjatë sezonit të verës në Ksamil, ndërsa kishte dhe një shtëpi tjetër në Tiranës.

Shkaku i ngjarjes së rëndë nuk dihet ende dhe as pistat ku po heton policia. Memaj nuk ishte i armatosur.

Ngjarja

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22.00 Gramoz Memaj po kthehej në shtëpinë e tij ku jetonte bashkë me nënën. Pas tij, dyshohet se kanë qenë dhe autorët, që mendohet se janë të paktën 4.

Sapo viktima ka parkuar makinën, pas tij ka shkuar një nga autorët dhe e ka qëlluar me pistoletë. 7 gëzhoja plumbash janë gjetur nga grupi i hetimit pranë vendit ku u vra Gramoz Memamj. Menjëherë më pas, autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Policia ka sekuestruar dhe pamjet filmike të një hoteli në zonë, sepse kamerat e tij kanë regjistruar të gjithë momentin e vrasjes. Për grupin e hetimit kjo është një provë shumë e rëndësishme sepse mund t’i çojë te autorët e ekzekutimit të Gramoz Memajt.