TIRANË- Tire Alldervishi sanitarja që u hoq si infermiere e ‘Shefqet Ndroqit’ dhe i mori vajzës së një pacienteje me koronavirus para për ti shërbyer është vënë në prangat e policisë.
Ka qenë pikërisht vajza e të sëmurës me Covid, E. S, 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, Tire Alldervishi e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A, 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S, 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.
Sipas 30-vjeçares e cila ka kallëzuar Tire Alldervishin, kjo e fundit i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Akuzat e vajzës të cilës i vdiq nëna për shkak të covidit, janë faktuar me biseda në aplikacionin e komunikimit WhatsApp. E ndjera është ankuar se sanitarja që e kishte paguar i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat. Fatkeqësisht, pacientja me COVID ndërroi jetë pas 28 ditësh në luftë me këtë virus./Topchannel