Katër persona kanë rënë në prangat policisë për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Dy kushërinj janë arrestuar pasi akuzohet se i kanë vënë zjarrin fshatit Gjorgos në Fier, që vijon të digjet edhe sot. Në pranga ranë Arben Muskaj, 49 vjeç dhe Zarif Muskaj, 41 vjeç, banues në Afrim i Ri, Fier, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin i vunë zjarrin pyllit të fshatit Gjorgos.
Më 6 gusht 2021, Arben dhe Zarif Muskaj i vunë zjarrin pyllit të fshatit Gjorgoz, Fier, ku është djegur një sipërfaqe prej 4 hektarë me shkurre e pisha. Gjithashtu po këto dy persona akuzohen si zjarrvënës në pyllin e fshatit Kreshpan në datë 28 korrik 2021.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë një 49-vjeçar Artur Beqiri në Durrës u arrestua sepse i vuri flakën një sipërfaqe toke me kallamishte, në një kodër të Spitallës. Si pasojë e flakës u dogj një sipërfaqe prej 4 mijë metër katror. Për zjarrin në Belsh, u vu në pranga Nexhip Hortja, i cili po digjte mbeturinat por i doli zjarri jashtë kontrollit. Edhe në Librazhd Riza Duka u shpall në kërkim po për të njëjtën akuzë.
Share this…