20 pacientë në spitalin e Shupenzës/ Drejtoresha: Raste sporadike, jo helmim masiv! 3 rezultuan me COVID nga testet e shpejta

SHUPENZË– Qendra Shëndetësore e Shupenzës ka bërë me dije se personat e mbërritur për të marrë ndihmë mjekësore 2 ditët e fundit kanë paraqitur simptoma të virusit të stinës.

Ato bëjnë me dije se pacientët e mbërritur në këtë qendër shëndetësore nuk kanë shfaqur shenja të helmimit nga uji, siç u raportua paraprakisht ditën e djeshme, por janë raste sporadike.

Në njoftimin zyrtarë të shpërndarë për mediat, drejtoresha Esmeralda Dani sqaron se një pjesë e pacientëve i janë nënshtruar testeve të shpejta anti-COVID, për shkak të simptomave që kanë shfaqur, disa prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv.

“Rastet me diagnozën Gastro-enterit-akut janë raste sporadike dhe nuk kanë lidhje me njeri-tjetrin . Nga këta janë referuar për teste të shpejta : 17 pacientë dhe nuk ka dyshime për intoksikacion masiv, janë manifestime klinike të virozave stinore”, shprehet Dani./Shqiptarja.com