Një skandal i heshtur po përvëlon themelet e asaj që quhet Reformë në Drejtësi. Sipas burimeve të besueshme nga brenda sistemit, disa anëtarë të trupave të vetingut dyshohet se kanë kërkuar shuma që shkojnë deri në 300.000 euro, në mënyrë që gjyqtarë apo prokurorë të kalojnë shkallën e parë të rivlerësimit, pavarësisht pasigurive në kriteret e pasurisë, profesionalizmit apo figurës morale.
Në vend që vetingu të ishte një filtër i rreptë për pastrimin e sistemit, duket se është kthyer në një pazar të errët me çmim të lartë. Jo të gjithë e kalojnë, por ata që “kuptojnë rregullat e reja të lojës”, e dinë që drejtësia nuk blihet më në gjykatë, por në korridoret e institucioneve të reja.
Të dhënat jozyrtare tregojnë për një rrjet të ngushtë njerëzish të lidhur me avokatë, ish-politikanë dhe individë që kanë qasje te anëtarët e trupave të vetingut, të cilët ndërmjetësojnë këtë “shërbim të posaçëm” me një tarifë që nis nga 100 mijë euro dhe arrin deri në 300 mijë, në varësi të “rrezikut të largimit nga sistemi”.
Kjo situatë e ngre pyetjen e madhe: Kush po i vë në veting ata që bëjnë vetingun?
Dhe më e rëndësishmja: A është reforma drejtësisë një fasadë e kontrolluar nga interesa të reja, por po aq të rrezikshme sa ato të vjetra?