“Ina Rama, zonja me dy fytyra/Drejtësi ditën, SHISH natën – pseudonimi ‘Kolinozi’ në shërbim”

Në një shtet ku fjala “reformë” konsumohet më shumë se buka e përditshme, pas perdes së bardhë të drejtësisë që premtonte “pastrim total”, del një emër që e kthen reformën në farsë dhe farsën në realitet të hidhur,  Ina Rama.

Sipas dokumenteve të publikuara nga hakerat iranianë “Homeland Justice”, Ina Rama ish-Prokurore e Përgjithshme dhe aktualisht anëtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) figuron si punonjëse e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Pra, gruaja që vendos fatet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në emër të pastërtisë së figurës, paska qenë gjithashtu pjesë e strukturave që operojnë me dosje të errëta, raporte të klasifikuara dhe urdhra verbalë.

Sipas burimeve, Ina Rama ka operuar nën pseudonimin “Kolinozi” gjatë bashkëpunimit të saj me Shërbimin Informativ Shtetëror, një detaj që hedh hije të rënda mbi legjitimitetin e saj si anëtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Si bashkëpunëtore operative e SHISH-it, ajo ishte në konflikt të drejtpërdrejtë interesi dhe ligjërisht nuk duhej të ushtronte funksione në trupat e vetingut, ku kërkohet pavarësi e plotë nga çdo strukturë e ndikimit të fshehtë. Pjesëmarrja e saj në procesin e “pastrimit” të drejtësisë, ndërkohë që mbante rol aktiv në një agjenci që operon në fshehtësi, e kthen reformën në farsë dhe cenon besimin publik ndaj gjithë procesit.

Qytetarët menduan për vite se vetingu ishte një rreze drite mbi drejtësinë e kalbur  ndërkohë që vetë “pastërtia” fshihej nën kode agjenturash.

Me sa duket, Ina Rama nuk ka qenë thjesht në shërbim të drejtësisë, por edhe në shërbim të atyre që e kontrollojnë atë në prapaskenë.

E njohur për publikun si një emër me peshë në drejtësi, emri i saj sot peshon më rëndë në listën e SHISH-it sesa në ndonjë vendim themelor të KPA-së.

Në vend që të jetë simbol i pavarësisë, del të jetë simbol i “integrimit të sistemit”, nga prokuroria, te vetingu, e deri në sektorët e inteligjencës.

Ironia më e madhe? Ina Rama është pjesë e trupës që gjykon të tjerët për lidhje me politikën, me interesat, me klanet dhe bashkpuntorët e shërbimeve sekrete. Por askush s’e gjykon atë për lidhjen me shërbimin që ajo shantazohet.

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë, 
Kur një subjekt dështon në veting, është sepse është i korruptuar apo sepse nuk është pjesë e rrjetit të brendshëm që flet pak dhe di shumë?

Dhe siç thuhet gjithnjë e më shpesh në korridoret e errëta të sistemit, “Kush nuk dëgjon urdhrin, nuk dëgjon më as vendimin.”

Në vend të pasthënies, në Shqipëri, drejtësia është bërë si Wi-Fi – sinjalin më të fortë e kanë ata që janë të lidhur. Dhe Ina Rama, mesa duket, ka qenë gjithmonë “online” me SHISH-in.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *