AstraZeneca nxjerr informacione të reja për efektivitetin e vaksinës

Drama e vazhdueshme rreth vaksinës AstraZeneca për COVID-19, mori një kthesë tjetër të mërkurën vonë, kur kompania nxori informacione të reja në lidhje me efektivitetin e saj.

Të dhënat mbi provat klinike me më shumë se 30,000 pjesëmarrës në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se regjimi me dy doza është 76% efektiv në parandalimin e koronavirusit simptomatik.

Shifrat e fundit ndryshonin pak nga ato të mëparshmet të lëshuara nga gjigandi farmaceutik britaniko-suedez të hënën se vaksina ishte 79% efektive kundër virusit.

AstraZeneca ka hasur disa pengesa në shpërndarjen e saj në shkallë ndërkombëtare. Disa vende evropiane kohët e fundit kishin ndaluar përdorimin e saj për shkak të njoftimeve se ajo ishte e lidhur me disa raste mpiksjeje gjaku. Afrika e Jugut ndaloi përdorimin për shkak të shqetësimeve në lidhje me efikasitetin e saj kundër një varianti lokal të virusit dhe i shiti të paktën një milion doza Bashkimit Afrikan.

Sidoqoftë, Agjencia Evropiane e Barnave, ka thënë se vaksina është e sigurt dhe nuk rrit rrezikun e përgjithshëm të mpiksjes së gjakut. Agjencia federale e shëndetit në Kanada njoftoi të mërkurën se po e ndryshon etiketën në shishet e vaksinës AstraZeneca duke shtuar informacionin se “në raste shumë të rralla shkakton mpiksje të gjakut”, por rikonfirmoi se vaksina ishte e sigurt dhe efektive ndaj COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës AstraZeneca duke theksuar se përfitimet i tejkalojnë rreziqet.

Vaksina Oxford-AstraZeneca ka qenë alternativa kryesore në botën në zhvillim për shkak të kostos së saj të ulët dhe kushteve më të lehta për t’u ruajtur.

Ndërkohë sipas shifrave të fundit nga të Universiteti Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar 30 milion raste me koronavirus, më shumë se çdo vend tjetër, ndërsa Brazili ka tejkaluar kufirin e 300,000 të vdekurve.

Në shkallë globale, më shumë se 124.6 milion njerëz janë infektuar, dhe mbi 2.7 milionë kanë vdekur. VOA