BE bie dakord për sanksione të reja kundër Rusisë

Për shkak të veprimit kundër kritikut të Kremlinit Navalny, ministrat e jashtëm të BE kanë rënë dakord për sanksione të reja kundër Rusisë. Përgjegjësit përballen me ngrirjen e pasurive dhe ndalime hyrjeje në BE.

Ministrat e jashtëm të BE kanë nisur sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të mënyrës së veprimit kundër kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Në parim është rënë dakord për të marrëw masa të reja ndëshkimore, raportojnë disa media, duke iu referuar diplomatëve.

Sipas kësaj, i Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell do të hartojë një listë të të prekurve, që janë përgjegjës për burgosjen dhe dënimin e Nawalnyt. Masat ndëshkuese do të përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimet e hyrjes në BE dhe do të hyjnë në fuqi javët e ardhshme.

Para se të ndodhë kjo, për sanksionet duhet të vendosen në mënyrë specifike përsëri. Vetëm atëherë do të publikohen emrat e njerëzve kundër të cilëve drejtohen sanksionet. Prokurori i Përgjithshëm, Igor Krasnow dhe shefi i komitetit hetimor Alexander Bastrykin me sa duket po diskutohen si persona të prekur. Përmenden edhe emrat e shefit të shërbimit të burgut, Aleksandër Kalashnikov si dhe i shefit të Gardës Kombëtare, Viktor Solotov.

Jo sanksione kundër oligarkëve

Vetë Navalny dhe Parlamenti Evropian patën bërë thirrje që të vendoseshin ndalime hyrjeje në BE edhe për oligarkët pranë Presidentit Vladimir Putin dhe që pasuritë e tyre të ngriheshin në BE. Sipas diplomatëve të BE, megjithatë, është e vështirë të provohet se ata janë drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet kundër Navalnyt, gjë që mund të çojë në një kontestim të vendimeve të sanksioneve.

Bashkëpunëtori i Navalnyt, Leonid Volkov, e hodhi poshtë këtë argument. Pa oligarkët besnikë ndaj Putinit, “makineria e shtypjes” në Rusi do të ishte e pakonceptueshme, tha ai në Bruksel. Dhe oligarkët nga ana tjetër përfitojnë nga kjo. Kur sanksionet e BE prekin “vetëm rreth dhjetë përfaqësues të Kremlinit që nuk do të udhëtojnë jashtë vendit dhe që nuk kanë pasuri jashtë vendit”, atëherë sanksionet “nuk janë të dhimbshme”.

Maas është në favor të sanksioneve

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas dhe të tjerë ishin shprehur qartë në favor të masave të reja ndëshkimore, përpara vendimit të BE. “Ne e bëmë të qartë që kur u helmua Navalny, se nuk ishim të gatshëm të pranonim shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe vendosëm sanksione,” tha politikani socialdemokrat.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn shprehu shqetësimin se mund të mos jetë arritur pika më e ulët e marrëdhënieve midis BE dhe Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha indirekt se Rusia po shqyrtonte ndërprerjen e marrëdhënieve me BE, tha Asselborn. “Kështu që e gjitha shkon thellë”.

Kjo pikëpamje mbështetet gjithashtu nga deklaratat e bëra nga ambasadori rus i BE, Vladimir Tschischow, i cili e paralajmëroi BE të mos vendosë sanksione të reja kundër vendit të tij. “Po të ndodhë kjo, ne do të jemi të gatshëm të përgjigjemi,” i tha ai gazetës “Die Welt”.

Kamp të burgosurish për Navalnyn

BE ka kërkuar lirimin e Navalnyt prej rreth tre javësh – deri tani pa sukses. Moska e hedh poshtë këtë si ndërhyrje në punët e brendshme.

Kritiku 44-vjeçar i Kremlinit u dënua në Moskë në fillim të shkurtit, sepse, sipas mendimit të gjykatëses, sepse kishte shkelur në mënyrë të vazhduar kërkesat e dënimit me kusht në një çështje të mëparshme penale të vitit 2014, për mashtrim dhe shpërdorim të fondeve. Në një proces apelimi, drejtësia e konfirmoi të shtunën e kaluar burgimin në një kamp të burgosurish. Të shtunën, Navalny u dënua edhe me një gjobë për gjoja fyerjen e një veterani të Luftës së Dytë Botërore./DW