Gjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burg ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.
Për të njëjtën vepër, gjykata u shqiptoi dënimin me nga gjashtë vjet e tre muaj burg edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim.
Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.
Gjykatësi Ile Tërpkov tha se dënimet janë minimale për shkak të qëndrimit korrekt dhe bashkëpunimit nga ana e të akuzuarve. Ai tha se “shteti mbrohet me mend dhe me zemër e jo me dhunë që lëndoi thelbin e demokracisë”.