Dialogu Kosovë-Serbi/ Lajçak thotë se brenda javësh do të ketë një takim Kurti-Vuçiç

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen brenda disa javëve. Deklarata vjen nga i emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd, ka marrë garanci për rifillimin e bisedimeve. Por para se palët të ulen në tryezë, Kosova duhet të përmbyllë procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Kurti më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel, për t’u takuar me presidentin Vuçiç. Vuçiç më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet.”, deklaroi Lajçak.

Lajçak shton se ka ardhur një moment i ri në dialogun Kosovë-Serbi duke marrë shkas që Kurti ka një mandat të fuqishëm me gjysmën e votave, po ashtu edhe qeveria e Beogradit. I pyetur lidhur me temën e ndryshimit të kufijve, zyrtari I BE-së tha se ky do të ishte një drejtim shumë I rrezikshëm dhe bie ndesh me politikat apo vlerat europiane dhe nuk I ndihmojnë vendet në rrugën drejt anëtarësimit.

Ai u shpreh i bindur se një marrëveshje gjithë përfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda disa muajve, por vetëm palët negociuese vendosin për këtë. Ndërkohë, të premten e kaluar Këshilli Europian i zgjati mandatin Lajçakut për të ndërmjetësuar bisedimet Prishtinë-Beograd deri në fund të gushtit të vitit 2022.