Dita e dytë pa humbje jete nga koronavirusi në Shqipëri/ Rritje e lehtë e rasteve të reja

Një lajm i mirë vjen ditën e sotme nga Ministria e Shëndetësisë, pasi bëhet me dije se në 24 orët e fundit nuk ka patur asnjë viktimë nga koronavirusi.

Ndërkohë ka patur një rritje të lehtë të rasteve të reja, pasi 20 persona kanë rezultuar pozitivë në testin e koronavirusit.

Njoftimi i Ministrisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon:

Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 43 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.

Janë kryer 3,137 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 20 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 8 raste në Tiranë, 5 raste në Korçë, 2 raste në Fier, 1 rast në Shkodër, Devoll, Mirditë, Prrenjas, Skrapar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 64 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,042 që nga fillimi i epidemisë. 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.