Në pranga përfunduan shtetasit A. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe shtetasi S. K., 31 vjeç po ashtu banues në Durrës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave të forta, në pranga 2 shtetas.
Qarkullonte me armë pa leje dhe lëndë narkotike në mjetin e tij, vihet në pranga poseduesi i tyre.
Arrestohet në flagrancë edhe shoku i tij për “Moskallëzim krimi”.
Sekuestrohen një armë sportive, një krëhër me municion pa leje dhe disa doza me lëndë narkotike kokainë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas po qarkullonin me armë dhe drogë në një automjet tip “Benz”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit në lagjen nr. 9, Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin A. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe me pasagjer pronarin e mjetit, shtetasin S. K., 31 vjeç, lindur në Pirg, Korçë dhe banues në Durrës, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive tip pistoletë, një krëhër me 8 fishekë dhe në sendet personale të shtetasit S. K., u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve S. K. dhe A. Ç.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Prodhimi e shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”.