Është vaksina Pfizer një dështim?/ Ja çfarë po ndodh

Dhjetëra të vdekur pas marrjes së vaksinës së Pfizer, çfarë po ndodh?

 

Nga Nathan Bartlett “The Conversation”

Raportet për rreth 30 vdekje midis të moshuarve në një azil që morën vaksinën Pfizer, kanë bërë xhiron e mediave të botës. Ky zhvillim mund të duket si shkak për t`u shqetësuar rreth sigurisë së vaksinës. Por ka disa arsye pse nuk duhet të jetë kështu. Norvegjia ka raportuar se deri tani ka vaksinuar rreth 45.000 njerëz kundër Covid-19. Programi i tyre i vaksinimit është fokusuar kryesisht tek ata që jetojnë në azile. Në vendet e tjera, mund të ketë një fokus më të madh tek mjeket dhe infermierët.

Pra, nëse ka ndonjë lidhje midis vdekjeve të të moshuarve dhe kësaj vaksine, ajo mund të mos jetë ende e dukshme. Por kjo varet gjithashtu nga mbikëqyrja. Norvegjia mund të ketë një sistem të mbikëqyrjes dhe raportimit veçanërisht të shpejtë, që ndjek me efikasitet të gjithë ata që janë vaksinuar dhe raporton me shpejtësi çdo rezultat të pafavorshëm.

Raportet e Norvegjisë, do të sensibilizojnë me siguri vendet e tjera për të monitoruar nga afër marrësit e vaksinave, sidomos ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, pasi janë më të moshuar dhe për pasojë më të brishtë. Ne kemi për momentin informacione të kufizuara në lidhje me këto raste në Norvegji.
Raportohet se ata që kanë vdekur ishin të moshuar dhe shumë të dobët. Shumë prej tyre vuanin nga disa sëmundje kronike, dhe ishin në një moshë aq shumë të thyer sa mund të kenë qenë afër fundit të jetës së tyre, pavarësisht vaksinës që morën.

Megjithëse ato vdekje janë nën hetim, është e rëndësishme të theksohet se ato nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte me vaksinën. Në historinë e fundit të vaksinave, ne nuk kemi parë ndonjë tendencë që tregon vdekjen e të moshuarve pas vaksinimit.

Për shembull, nuk ka asnjë provë se vaksina vjetore e gripit është shoqëruar me vdekjen e kësaj grupmoshe, apo njerëz të çdo lloj moshe. Por është e rëndësishme të theksohet se, duke bërë një krahasim me gripin apo ndonjë vaksinë tjetër dhe vaksinën e Pfizer kundër Covid-19, se ne jemi duke krahasuar mollën me portokallin. Vaksina e Pfizer bazohet në teknologjinë mARN, e cila është plotësisht e re në një vaksinë njerëzore.

Kjo teknologji përmban një pjesë të materialit gjenetik të virusit SARS-CoV-2 në formën e ARN-së dërguese (mARN). Dhe i udhëzon qelizat tuaja të marrin një pjesë të virusit, gjë që stimulon një përgjigje imune që pengon infeksionin dhe mbron nga sëmundja. Të gjitha vaksinat janë krijuar për të gjeneruar një përgjigje imune – megjithëse në mënyra të ndryshme – për t’i përgatitur trupat tanë të luftojnë kur e hasim virusin.

Por krijimi i një përgjigje imune çon në inflamacion. Disa njerëz nuk do të përjetojnë ndonjë efekt anësor nga një vaksinë, por inflamacioni mund të shfaqet në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm dhe midis vaksinave të ndryshme. Kjo mund të nënkuptojë një reagim në vendin e injeksionit, lodhje fizike, ose të ndjerit keq. Vdekjet në Norvegji raportohet se ishin të shoqëruara me ethe, të përziera dhe diarre, të cilat si rregull do të ishin të tolerueshme për shumicën dërrmuese të njerëzve. Se sa njerëz të ndryshëm do t’i përgjigjen ARNi, është ajo që sapo kemi filluar t`a kuptojmë. Ka të ngjarë që kjo vaksinë të ketë efekte më serioze tek njerëzit e moshuar, me të brishtë nga ana shëndetësore, ku përgjigja fillestare inflamatore mund të jetë dominuese. Por është ende herët për të nxjerrë ndonjë përfundim. Vaksinat duhet të gjenerojnë një përgjigje imune në mënyrë që të funksionojë, dhe efektet anësore janë një nënprodukt i trupave tanë që përgatisin një përgjigje imune.

Ndërsa vdekjet janë ngjarje të trishtueshme, ato nuk duhet të jenë shkak për ndonjë alarm. Madje ato na tregojnë se vaksina po stimulon një përgjigje imune. Për shumicën e njerëzve, ajo përgjigje do të jetë plotësisht e tolerueshme dhe do të çojë në zhvillimin e kujtesës imune që ju mbron nga forma e rëndë e Covid-19.
Sfida e madhe për çdo vaksinë, është gjenerimi i mjaftueshëm i një përgjigjeje imune, në mënyrë që të jeni të mbrojtur nga sëmundja në fjalë, por jo aq shumë sa të përjetoni efekte serioze anësore. Aty ku ekziston, ky efekt do të ndryshojë nga njëri tek tjetri, por marrësit më të moshuar dhe më të brishtë të vaksinave, ka të ngjarë të jenë më të rrezikuar nga reagime të forta, që janë potencialisht të rrezikshme për jetën. Pra, për ata që mund të jenë më të ndjeshëm, ne mund të jemi pak më të kujdesshëm./Përshtatur nga In-front.org