E fundit/ KQZ skualifikon Albin Kurtin, nuk i lejon të garojë në zgjedhje

Albin Kurti  nuk është certifikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Burime te Express bërë të ditur se ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së.

Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në shtator të po atij viti Apeli ia vërtetoi dënimin e njëjtë. Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, si pasojë e të cilave, liderit të LVV-së i është pamundësuar kandidimi në listë zgjedhore.

Përveç Kurtit, KQZ-ja s’i ka certifikuar edhe 46 kandidatë për deputetë edhe nga listat e partive tjera që po ashtu ishin të dënuar në tri vitet e fundit.

Në konstatimin e dytë të aktgjykimit të dhjetorit, Kushtetuesja tha se personat e dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë dhe as të fitojnë mandat në Kuvend.

“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.