Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi formalisht të shtunën përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson, duke hapur rrugën për përdorimin e saj që nga e hëna.
Sipas të dhënave nga një studim që shtrihej në tre kontinente, vaksina Johnson & Johnson, e cila merret vetëm në një dozë, është 85 për qind efektive kundër sëmundjes së COVID-19, të shkaktuar nga koronavirusi. Ajo ofron mbrojtje edhe në vendet ku po përhapet varianti i Afrikës së Jugut.
Vaksina me një dozë është pritur me padurim nga zyrtarët shëndetësorë të cilët dëshirojnë të shpejtojnë vaksinimet në një garë kundër koronavirusit dhe mutacioneve shqetësuese të tij. Sipas universitetit Johns Hopkins, deri të shtunën në mbrëmje, më shumë se 28.5 milion amerikanë janë prekur nga COVID-19 dhe gati 512 mijë kanë humbur jetën.
Presidenti Joe Biden vlerësoi “lajmin emocionues për të gjithë amerikanët”, por bërit thirrje në një deklaratë të shtunën që amerikanët të mos heqin dorë nga kujdesi.
“Dua të jem i qartë. Kjo luftë është larg fundit”, tha ai. “U bëj thirrje të gjithë amerikanëve, vazhdoni të lani duart, qëndroni në distancë fizike dhe vazhdoni të mbani maska. Siç e kam thënë shumë herë, gjërat ka të ngjarë të përkeqësohen përsëri ndërsa përhapen variante të reja, dhe përmirësimi aktual mund të përmbyset”.
Një panel këshillimor i Administratës Amerikane të Ushqimit, mbështeti të premten vaksinën duke i hapur rrugën autorizimit të saj nga agjencia.
Vaksina me një dozë është e treta më radhë e miratuar nga FDA-ja dhe pason vaksinat me dy doza të prodhuara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna.
Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se Johnson & Johnson ka thënë që deri në fund të muajit mars pret të shpërndajë 20 milionë doza në Shtetet e Bashkuara dhe 100 milionë deri në verë. Johnson & Johnson po kërkon gjithashtu autorizim për përdorimin urgjent të vaksinës së saj në Evropë dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./VOA