Në Fier vijon puna për zbardhjen e ngjarjeve dhe vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sipas policisë është kapur dhe arrestuar një shtetas pasi në datë 21.01.2021 vodhi një automjet në fshatin Varibob, si edhe procedohet një tjetër pasi vodhi një sasi të vogël lekësh në një shkollë në Fier.
Ndërsa Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si rezultat i punës operative, hetimore dhe profesionale, arrestuan shtetasin:
Sh., 36 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, pasi ka vjedhur automjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit A. V., 48 vjeç. 36 vjeçarit iu sekuestrua automjeti dhe 2 aparate celularë nën cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.