Video:“Ministrja që lufton kolonat zanore, jo ndotjen e plazheve”/ Mirela Kumbaro në mision anti-muzikë, ndërsa plazhet mbyten nga korrupsioni dhe ndotja!

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka dalë sërish “heroikisht” në terren, këtë herë jo për të inspektuar ndotjen e plazheve, dhënien pa kriter të tyre tek bizneset private apo mungesën totale të infrastrukturës, por për të luftuar… muzikën në altoparlantë!

E shoqëruar nga kameramani personal (dmth. telefoni për postimin në Facebook), Kumbaro u përplas verbalisht me disa pushues, duke u shpjeguar se “muzika nuk është e mirë për shëndetin”. Siç duket, mes detit të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, ministrja ka zbuluar një talent të ri, mjeke ORL, me specializim në luftimin e kolonave zanore të verës.

Ndërkohë, ajo nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për gjendjen dramatike të plazheve shqiptare, të cilat janë cilësuar ndër më të ndoturat në Europë.

Korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit nuk është më një dyshim  është një sistem i mirëorganizuar, ku çdo metër rëre ka një çmim, çdo leje plazhi një pazarllek, dhe çdo parcelë deti një emër të njohur pas saj.

Në qendër të këtij sistemi që vepron si një ndërmarrje private korruptive që vesh petkun e shtetit, qëndron Ledion Lako, drejtori që për 8 vite ka ndarë bregdetin si pronë personale. Asnjë procedurë transparente, asnjë garë reale, vetëm marrëveshje të fshehta, klientelizëm dhe tenderë të dyshimtë. Ky nuk është më korrupsion i zakonshëm është grabitje me letra shtetërore dhe heshtje të organizuar institucionale.

Nuk ka një plan afatgjatë për zhvillimin e turizmit, as projekte për ruajtjen e bregdetit, as transparencë për mënyrën sesi jepen licencat tek privatët. Por ka kohë të merret me playlist-at e pushuesve dhe të japë diagnoza imagjinare në rërë.

Meqë duket se më shumë e shqetëson zëri i një këngëtari sesa zhurma e skandaleve, ndoshta është koha që ministrja të japë dorëheqjen dhe të hapë një klinikë anti-muzikë diku në Jalë.

Dhe si bonus, të marrë me vete edhe agjencinë famëkeqe të bregdetit. Se pushuesit kanë nevojë për pastërti, siguri dhe organizim,jo për show me “like” dhe fjalë boshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *