Pas publikimit të raportit të CIA-s janë shmangur edhe dyshimet e fundit: Vrasja e gazetarit kritik ndaj qeverisë Jamal Khashoggi më 2018 në Stamboll ka ndodhur me porosi ose të paktën me dijeninë e princit saudit Mohamed bin Salman. Ky nuk ka qenë një aksion i dalë jashtë kontrollit i një komandoje shtetërore vrasëse pa dijeninë dhe porosinë „nga lart”, sikurse është përpjekur t’i mbushë mendjen botës dhe qytetarëve të vet oborri mbretëror saudit.
Shkelje e pafalshme e civilizmit
Në këtë mënyrë është e qartë: MbS, siç e quan veten princi, mban përgjegjësi të plotë për një krim mizor politik në dekadën e kaluar: Gazetari u fut në një kurth dhe u vra, sepse pushtetarëve në Riad nuk i pëlqente kritika e vazhdueshme që publikonte në mediat e SHBA-së Jamal Khashoggi.
Trupi i tij më pas me sa duket është coptuar me sharrë dhe është djegur me acid: Një vrasje e tmerrshme dhe e paimagjinueshme në „stilin e mafias”, që e ka njollosur keq reputacionin e Arabisë saudite në rajon dhe në mbarë botën. E ajo është edhe një shkelje e rëndë e civilizimit, që nuk mund të justifikohet me asgjë e që bota nuk duhet ta pranojë kurrë.
Sundimtar me dy fytyra
Ndërkohë që MbS si pasues i fronit dhe si një pushtetar që sot vepron jo zyrtarisht ka edhe merita, veçanërisht sa i përket një liberalizimi gradual, por të dukshëm të shoqërisë dhe një vlerësim të ndjeshëm të rolit të gruas në shoqëri. Janë të shumtë të rinjtë sauditë që shohin tek ai një figurë shpresëdhënëse dhe e nderojnë atë si një popstar.
Por Mohamed bin Salman ka edhe një anë tjetër, që moralisht është mjaft e rëndë: Ai i ka duart të lyera me gjak. Jo vetëm me gjakun e Jamal Khashoggit, por edhe me gjakun e shumë njerëzve të tjerë të pafajshëm, që kanë humbur jetën në luftën e vazhdueshme me Jemenin fqinj prej sulmeve saudite nga ajri ndaj shkollave apo shtëpive.
Presidenti i deritanishëm i SHBA-së, Donald Trump, i dinte të gjitha këto fare mirë – dhe ai megjithatë e ka mbrojtur MbS si gjoja partnerin shembullor në Lindjen e Mesme. Pasuesi i Trumpit, Joe Biden përpiqet tani me ndihmën e raportit të CIA-s dhe duke theksuar veçanërisht të drejtat e njeriut, që ta izolojë politikisht Mohamed bin Salman dhe t’i vendosë mbi një bazë të re marrëdhëniet midis dy vendeve.
Por Biden është i tërhequr sa u përket sanksioneve direkte kundër princit të kurorës, i cili ndërkohë në shumë vende të BE-së është shpallur person i padëshiruar. E këtu është fare i qartë rreziku: Nën MbS Arabia Saudite rrezikon të vazhdojë të mbetet si një shtet pariah duke pësuar si rrjedhojë edhe dobësimin e interesave të veta./DW