Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka thënë se masat shtrënguese për parandalimin e koronavirusit do të vijojnë të mbeten në fuqi edhe për një periudhë tjetër 2 javore.
Rakacolli u shpreh se ora policore do të jetë sërish në orën 20:00 dhe masat lehtësuese do të merren vetëm kur të kemi një lehtësim më të dukshëm të situatës së pandemisë.
“Duke u bazuar në shifrat dhe analizën e situatës, ekspertët e komitetit mendojnë se situata mbetet e qëndrueshme.
Por shifrat nuk janë përsëri në nivelin për t’u lehtësuar masat.
Duke u bazuar në shifrat e infeksionit në moshën 15 deri në 20-vjeç, është vendosur që maturat të vijojnë mësimin në klasë.
Këto do të kenë një monitorim të kujdesshëm dhe duhen respektuar masat.
Masat e tjera do të mbeten në fuqi, siç është ora policore, maskat dhe distanca sociale.
Mësimi do të vijojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor dhe fluturimet me Britaninë do të jenë të ndaluara”,- tha Rakacolli.