Ditën e sotme merret vendimi në KPK për drejtuesen e Prokurorisë së Kukësit, Rita Gjati. Vetëm pak ditë më parë ajo kallëzoi në Prokurori kryetaren e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, Genta Bungo, dhe dy anëtarët e tjerë të institucionit, Alma Faskaj e Lulëzim Hamitaj.
Sipas kryeprokurores së Kukësit, KPK se nuk ka shqyrtuar të gjitha provat e dërguara prej saj për procesin e rivlerësimit, kjo për shkak se materialet nuk i kishte dërguar në rrugë postare por elektronike. Ajo gjithashtu pretendon se njëri nga anëtarët nuk ka qenë në Shqipëri në momentin kur është refuzuar kërkesa e saj për marrjen në konsideratë të dokumenteve shtesë, duke shtuar se ka siguruar edhe një fotokopje të sistemit TIMS, marrë në datën 5 mars.
“Nga shqyrtimi i raportit të rezultateve të hetimit të kryera nga KPK për tre kriteret, atë pasuror, profesional dhe të figurës, si dhe provat, të cilat KPK u ishte referuar në nxjerrjen e rezultateve, konstatova se nga ana e KPK nuk ishin administruar në hetimin administrativ shumë të dhëna e dokumente zyrtare, të cilat ishin dërguar nga ana ime dhe ndikonin drejtpërdrejt në rezultatet e hetimit dhe ishin depozituar nga ana ime si subjekt rivlerësimi,”- thuhet në kallëzimin penal të prokurores Gjati.
Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokurore në Sarandë, por në vitin 2008 ajo u shkarkua nga Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama pas një inspektimi të kryer. Gjati e kundërshtoi shkarkimin si të paligjshëm në gjykatë dhe e fitoi çështjen, së bashku me disa prokurorë të tjerë. Ajo u rikthye në detyrë në vitin 2013 dhe në vitin 2014 u emërua në Prokurorinë e Kukësit, ku vazhdon ende të kryejë detyrën.
Tre anëtarët e akuzuar janë të njohur edhe më parë në media për afera korruptive, fasifikime dhe inmoralitete. Asgjë nuk u pengon t’i shkatërrojnë profesionin një prokurorje, vetëm për faktin se përtojnë dhe nuk dinë të bëjnë punën e tyre sic duhet.