Policia shton kontrollet në lokale për festat e 7-8 Marsit, 792 qytetarë të gjobitur në 24 orët e fundit

Kontrolle të shtuara për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, në kuadër të ditëve festive 7 dhe 8 Mars, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 .

Në vijim të punës për përmbushjen e detyrave funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë, strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht dhe për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në këtë kuadër, nisur dhe nga rastet e shkeljes së masave kufizuese të konstatuara nga shërbimet e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar strukturave vendore të Policisë:

– Organizimin, planifikimin, instruktimin dhe drejtimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, për monitorimin e situatës në territor, për të mos lejuar organizimin e grumbullimeve në vende të mbyllura dhe të hapura, gjatë ditëve festive 7 dhe 8 Mars 2021;

– Monitorimin e mbajtjes së detyruar të barrierës mbrojtëse (maskës) nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë;

– Shtimin e kontrolleve në ambientet e lokaleve, bareve, restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit;

– Ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, për festime, mbledhje partiake, ceremoni fetare/martesore, konferenca apo tubime të ndryshme;

– Kufizimin/ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve, fast food-eve, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;

– Kufizimin/ndalimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve pa arsye të domosdoshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;

Po në kuadër të punës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 792 shtetas, për moszbatimin e këtyre masave, konkretisht:

– Janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 785 shtetas, për mosvendosjen e maskës mbrojtëse;

– Është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, pronari i një lokali që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë;

– Janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë, 5 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur me këmbë, pas orarit të lejuar;

– Gjithashtu, në qarkun Dibër, është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një shtetas që ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.