Trafikantit Kristaq Kotro i rihapet çështja e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve të mbuluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

Nuk është hera e parë që hetuesit dhe autoritetet policore ngelin në provimin që të huajt ju bëjnë partnerëve të tyre për të parë besueshmërinë dhe vendosmërinë për të luftuar trafikun e drogës. Gjatë një aksioni antidrogë të vitit 2011, në të cilin nga Kolumbia ishin nisur 200 kg kokainë të shkrirë në 52 fuçi me vaj palme, kur ajo mbërriti në Gjirokastër, pala shqiptare e mbylli me vetëm një të arrestuar. Nuk u gjet asnjëherë se ku ishte laboratori që do veçohej vaji i palmës nga kokaina dhe as bashkëpunëtorët e tij. Për çudi, Vullnet Harizaj ose Dhimitros Harizaj u gjykua dhe u shpall fajtor në vitin 2012 për çështjen e kokainës që ishte porositur, mbi akuzën e trafikut ndërkombëtar në bashkëpunim.

Prokuroria kërkoi për të 18 vite burgim mbi akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim, ndonëse nuk ia doli asnjëherë mbanë të zbulojë e të kuptojë apo edhe të gjejë se cilët ishin ndihmësit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Më poshtë, gazeta do sjellë dosjen e plotë sesi u zhvillua operacioni, çfarë dëshmuan biznesmenët, të cilëve Harizaj iu kishte premtuar se do t’u sillte vaj palme me çmim të lirë.

Dhimitër Harizaj përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, ndërkohë që gjatë gjyqit zgjodhi të heshtë. Megjithëse jashtë sallave të gjyqit u tha që nuk kishte asnjë mundësi që ai të ishte trafikanti i 200 kg kokainë, ftesa e akuzës për ta bërë bashkëpunëtor të drejtësisë u refuzua prej tij. 55-vjeçari kërkoi pafajësi me justifikimin se kishte porositur fuçi me vaj palme dhe se nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur. Por, hetimi nxori përpjekjet e tij teksa interesohej për kontejnerin që kishte bërë rrugë të gjatë nga Kolumbia në Spanjë, ishte tranzituar në Belgjikë dhe përmes Serbisë e Maqedonisë kishte arritur në destinacion, pra në Gjirokastër ku edhe ishte fabrika.

Dhimitri pyet në telefon: “Çfarë është bërë me të, e pyet nëse është shkarkuar apo jo kontejneri, pasi shoferi ka fikur telefonin”.

Përdoruesi i numrit 0695339341 i përgjigjet se: “Nuk dinte gjë, nuk kam punë me shoferin dhe se e kanë pritur njerëzit atje katër orë që ta ndihmonin për atë që donte ai”.

Bisedë e realizuar në dt 22.3.2011 ora 09.05.29, numri celular 0692061662 (identifikuar përdorues shtetasi Artur Taraj) e ka marrë në telefon numrin celular 0695339341 dhe nga biseda e transkriptuar përdoruesi i numrit celular 0692061662 i kërkon me ngulm përdoruesit të numrit 0695339341, që të vijë te puna e tij. Gjithashtu i thotë se ka gjetur keq nga kjo gjë. Përdoruesi i numrit 0695339341 i thotë që se ka gjetur ai keq nga kjo gjë se ata mund të kishin mbaruar punë që në orën 4.

Prokuroria deklaron në dosjen që gazeta “Si” disponon se i dyshuari  për të shmangur çdolloj dyshimi dhe kontrolli të mundshëm nga ana e policisë përdori dokumentacionin e firmës shqiptare “INTER-KRISS” Sh.p.k Gjirokastër, e cila ka të njëjtën adresë me firmën Shqiptare  “AE1 MERENTINO” Sh.p.k, me adresë Zona Industriale, Gjirokastër, me pronar shtetasin shqiptar, Kristaq Kotro.

Në dosje shpjegohet se “Kjo firmë, në punën e saj të përditshme merrej edhe me vaj palme, ndaj dhe i pandehuri i ka ofruar pronarit të saj dërgimin e një sasie me vaj palme me cilësi dhe çmim sa më të lirë, si dhe duke e pritur për shumën e lekëve që do të paguante për mallin, me të vetmin kusht që të përdorte dokumentacionin e firmës së tij, që na rezulton si blerëse e kontejnerit në Belgjikë”.

Për të provuar pafajësinë e emrave të tjerë në dosje zbardhen edhe përgjimet mes biznesmenëve në kohën kur kontejneri ishte ende duke udhëtuar për të konfirmuar se personi që kishte hyrë garant t’i furnizonte me vaj palme ishte Harizaj.

“Në bisedën e realizuar në dt.20.3.2011 ora 11.51.45 numri celular 0689005000 (në përdorim të shtetasit Kristaq Kotro) ka marrë në telefon numrin celular 0682089775 (në përdorim të një shoferi të kompanisë Merentino, shtetasit Tafil Hunda) ku sipas bisedës përdoruesi i numrit celular 0689005000 i thotë përdoruesit të numrit celular 0682089775 se a e takove Arjanin (Arjan Lazaj) dhe ç’të ka dhënë? Përdoruesi i numrit celular 06820775 i përgjigjet: “Po, e takova më ka dhënë dollarë me duket se ishin të ngushta dhe ishin të mbështjella në zarf, nuk i dalloja dot euro apo ishin dollarë. I thashë që janë pak dhe ai më tha janë shumë.

Në bisedën e realizuar në dt 21.3.2011 ora 10.50.12, numri celular 0682052350 (në përdorim të shtetasit Theodhori Simo) i thotë përdoruesit të numrit 0689005000 që kontejneri është me 3.37 dollarë për kile, dogana është rreth 8 milionë lekë dhe kontejneri është i mbushur me fuçi.Përdoruesi i numrit celular 0689005000 e pyet me fuçia dhe biseda vazhdon për llojin e vajit çfarë lloji është që ka këtë çmim kaq të shtrenjtë.

Gjithashtu, në vijim të komunikimeve telefonike të të pandehurit rezulton një bisedë e realizuar në dt.22.3.2011 ora 09.07.09, numri celular 0695532499 (përdorues një person i panjohur) e ka marrë në telefon numrin celular 0695339341 dhe sipas bisedës së transkriptuar dhe të dëgjuar nga theksi i të folurës përdoruesi i numrit celular 0695532499, duket se është nga zonat e Jugut të Shqipërisë, (por ky numër është i regjistruar në emër të shtetasit Besnik Balliu nga Elbasani). Përdoruesi i numrit 0695339341 i thotë përdoruesit të numrit 0695332499 se çfarë bëhet andej ndonjë gjë, ndërsa përdoruesi i numrit celular 0695332499 i thotë se nuk di gjë dhe se nuk ka qenë fare këtu. Përdoruesi i numrit 0695339341 është i interesuar dhe i thotë; A more vesh gjë për atë, mos ka marrë ndonjë gërvishtje me ndonjë cep.”

Por, ndërkohë për shpalljen fajtor të trafikantit të 200 kilogramë kokainë sillet edhe biseda e përcjellë me letërporosi nga spanjollët në të cilën një i panjohur flet me një trafikant me emrin Juan Gimeno Carrillo. Aty flitet për një shqiptar që i kishte prezantuar, dhe për të cilin i thotë se mund t’ia bëjë “atë nderin” dhe Juani i thotë se ai nuk mund të përgjigjet për atë shqiptarin, pasi nuk e njeh.

Por, ndërkohë në dosje sillen edhe fakte për udhëtimin e kontejnerëve nga porti i Santa Martës drejt Evropës, që ishte blerë nga një shoqëri holandeze SOLFROUIT GROUP B.V, e cila pasi heq dorë nga blerja e saj, si blerëse del një shoqëri polake. Dhe pas refuzimit të kësaj të fundit shfaqet në skenë një kompani shqiptare dhe i pandehuri Dhimitros (Vullnet) Harizaj.

Gjykata shqiptare pohon më tej:

Pra është e vërtetë që trafikantët pasi kanë sjellë kontejnerin me lëndë narkotike në Belgjikë, kanë bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një personi të besueshëm që do merrej me tërheqjen e kontejnerit nga porti dhe magazinimin e tij. Pikërisht, në këtë pikë futet në lojë i pandehuri Dhimitros (Vullnet) Harizaj, për të cilin trafikantët po bënin përpjekjet për gjetjen e një personi të besueshëm që do merrej me tërheqjen e kontejnerit nga porti dhe magazinimin e tij”.

Gjykata vlerëson se Harizaj i kishte hyrë një i vetëm trafikut të 200 kg kokainë duke vijuar: Në të kundërt, me sa pretendon mbrojtja se blerësi INTER KRISS e ka pranuar blerjen e vajit të palmës dhe ka kryer të gjitha veprimet administrative për zhdoganimin e saj, për transportin dhe deri te magazinimi i saj, gjykata konstaton se nga provat e administruara në gjykim provohet se ka qenë insistimi shumë i madh i të pandehurit Dhimitros (Vullnet) Harizaj që kjo firmë t’i blinte vajin e palmës. Janë provat e sipërcituara që vërtetojnë të kundërtën e mbrojtjes, pra vërtetojnë se është pikërisht i pandehuri Dhimitros (Vullnet) Harizaj personi që ka bërë të gjitha pagesat për zhdoganimin e mallit, për transportin e tij për kamatëvonesat në portin belg, etj.

Është alogjik pretendimi i mbrojtjes se i pandehuri këtë punë e ka kryer për të fituar diçka nga blerja e vajit të palmës dhe shitja e tij te firma INTER KRISS, pasi me provat e administruara provohet plotësisht që vaji i palmës i sjellë nga i pandehuri ka ardhur në Shqipëri me një çmim 3.87 dollarë për litër në një kohë që ky lloj vaji ishte normalisht me një çmim që varionte nga 2.2 deri 2.4 dollarë për litër, në një kohë që edhe cilësia e tij linte shumë për të dëshiruar.

Gjithashtu, të pandehurit Dhimitros (Vullnet) Harizaj në momentin e ndalimit të tij nga policia dhe gjatë kontrollit të tij dhe banesës së tij i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe një material bimor i futur në një qese me bimë të dyshuar si bimë narkotike cannabis sativa, me peshë 0.776 gram, si dhe një cigare e dredhur me bimë të dyshuar si bimë narkotike cannabis sativa, me peshë 0.201 gram, për të cilat dhe organi i akuzës ka kryer verifikimet përkatëse dhe ka rezultuar se i pandehuri Dhimitros (Vullnet) Harizaj me aktin e ekspertimit kimik nr.3674 datë  03.05.2011 ka rezultuar se materiali i gjetur është bimë narkotike cannabis sativa dhe përzierje duhani me cannabis.