Tre muaj para zgjedhjeve, Berisha mbledh kandidatët për kryetar bashkie: Ata të krahut tjetër caktohen nga droga dhe bandat! Thirrja për të gjithë është që…

Tre muaj para zgjedhjeve të 14 majit, kryetari i PD, Sali Berisha ka mbledhur kandidatët për kryetar bashkie. Në fjalën e tij, ish kryeministri i konsideroi ata si ekipi i fitores, ndërsa rivalet e tyre, sipas tij caktohen nga droga dhe bandat.

Berisha akuzon kryeministrin Rama se u rrëmbeu votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe mori të gjitha pushtetet.

“Takoj sot ekipin e fitores, takoj përfaqësuesit e votës së lirë, takoj kandidatët për qytetarë të këtij vendi, të cilët vijnë në procedurën më transparente, më dinjitoze për një vend dhe një komb.

Kjo përben një arritje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në kushtet e një vendi ku skandali dhe superskandali janë tipar kryesor, ku vendimmarrje është më obskure se në çdo vend tjetër të Evropës dhe më gjerë

Në kushtet e një vendi ku kandidaturat e krahut tjetër i përcakton droga, i përcaktojnë narkoeurot, i përcaktojnë bandat, klanet e tyre.

Prania juaj në garë elektorale është prania e misionarëve të vërtetë, misionarëve për të çuar më përpara kauzën e lirisë, kauzën e dinjitetit. Misionarëve për të përmbysur sistemin monist të vendosur me mbështetjen e mafies shqiptare, rajonale, evropiane dhe botërore.

Edi Rama arriti të vendosë në Shqipëri monizmin e plotë. Të vendosë kontrollin e plotë dhe total mbi të gjitha pushtetet, sepse rrëmbeu votën e lirë qytetarëve shqiptare, e shndërroi atë në një vlerë fiktive, jo reale.

Shndërroi ndërkohë narkoeuron dhe grupet e saj vendimmarrësin kryesor për fatet e Shqipërisë, fatet e demokracisë shqiptare, fatet e vendit.

Me shumë keqardhje ju informoj ju se statistikat e fundit të Eurostat, të cilat deri në vitin 2021 informonin se 744 mijë shqiptarë kanë lënë vendin për vendet e BE. Kjo shifër para pak ditësh është përditësuar dhe sot janë 935 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin, vetëm për në BE.

Sot një thirrje është të shpëtojmë Shqipërinë, ti dalim zot Shqipërisë. Shqipëria po zhduket, po vdes me shpejtësi në këtë mënyrë.

Nuk ka një vend tjetër në mënyrë absolute që në harkun kohor 2014-2022 të ketë humbur mbi 35% të popullsisë së vet”, tha nder te tjera Sali Berisha.