VIDEO/ Kafshoi kundërshtarin si Mike Tyson, boksieri maroken bëhet viral në Lojërat Olimpike

Nuk është nga më të mirët, por ambicien e kishte madje të tepruar. Younes Baaleh, boksieri maroken 22-vjeçar nuk pati një përvojë të këndshme në Lojërat Olimpike, madje fitoi epitetin e të keqit numër 1 pas veprimit që bëri në ring.

Luftëtari i peshës së rëndë u përpoq të kafshonte rivalin e tij, David Nika nga Zelanda e Re gjatë ndeshjes, diçka që shkaktoi tronditje të madhe, ndonëse ai nuk arriti të bënte një kafshim të plotë.

Gjithsesi, për habinë e të gjithëve, gjyqtari nuk e skualifikoi Baaleh, i cili mundi ta përfundonte ndeshjen ndonëse doli i humbur me vendimin unanim 5-0 në favor të neozelandezit.

Menjëherë veprimi i tij u krahasua me atë të Mike Tyson në ndeshjen e famshme të revanshit ndaj Evander Holyfield në 28 qershor 1997 në Las Vegas.

Ish-kampioni absolut i peshave të rënda u përpoq të hakmerrej atëherë për humbjen e pësuar ndaj Holyfield në 1996, por zemërimi ia errësoi mendimin.