Zgjedhjet e 25 prillit/ KQZ dhe OSBE inkurajojnë të rinjtë të marrin pjesë

4 Shkurti 2021 është dita Globale të Zgjedhjeve, prandaj edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizuan aktivitete me fokus kryesor rreth votuesve të rinj, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Prezenca dhe KQZ-ja ftuan të rinj nga i gjithë vendi për të krijuar video dhe slogane për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit dhe shpërbleu katër fituesit e konkursit në një ngjarje të organizuar nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi dhe Shefi i Prezencës Vincenzo Del Monaco.

Fituesit shkëmbyen mendime me Celibashin dhe Del Monaco mbi rritjen e rolit të të rinjve në proceset demokratike, mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje dhe ndikimin që të rinjtë mund të sjellin në jetën politike të vendit.

“Përfshirja e të rinjve përmes konkursit për videon, grafikën dhe sloganin më të mirë pë zgjedhjet në celebrimet e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ishte një rast i mirë për të përcjellë mesazhe për angazhimin e të rinjve në procesin zgjedhor dhe të marrin pjesë në votime”, tha Komisioneri Celibashi gjatë vlerësimit të të rinjve që morën pjesë në konkurs.
 

“Angazhimi i të rinjve në proceset demokratike është një përbërës i rëndësishëm i punës së Prezencës së OSBE-së. Të rinjtë duhet të shkojnë të votojnë Ditën e Zgjedhjeve, të bëhen pjesë e procesit. Ju keni një rol të fortë në të ardhmen e vendit, bëjeni zërin tuaj të dëgjohet”, tha ambasadori Del Monaco.

Prezenca i dhuroi KQZ-së 700 kopje të shtypura të Kodit Zgjedhor të ndryshuar së fundmi për të ndihmuar komisionerët e zgjedhjeve në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të ardhshme.