Deputetja e zgjedhur e PD, Grida Duma, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se korrupsioni i regjimit na la vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve. Duma shkruan se modeli korruptiv i ndërtuar nga Edi Rama po i shkakton vendit dëme të pallogaritshme
“Keqmenaxhimi, paaftësia, shpërdorimi i detyrës, korrupsioni janë elementët që fatkeqësitë natyrore kanë nxjerrë përherë në pah, duke rrëzuar propagandën hileqare të regjimit.
Shqipëria ka mbetur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës.
Korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit i ka lënë qytetarët dhe pasuritë natyrore pa mbrojtje, ndërsa punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë detyrohen të përballen me zjarrin me mjete rrethanore”, shkruan Duma.
Sipas saj, mashtrimet e përsëritura ndër vite dhe propaganda e paguar me taksat e qytetarëve nuk fshehin dot as dështimet, as dëmet që modeli korruptiv i ndërtuar nga Edi Rama po i shkakton vendit.
“Nëse ky model nuk ndëshkohet, Shqipëria do të lëngojë nga kriza në krizë për shkak të një pakice që punon vetëm për veten, jo për shqiptarët”, shkruan Duma.