Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikthen në Veting prokurorin e Tiranës, Kolë Hysenaj, pas një shtyrje plot 7-mujore nga seanca e parë dëgjimore, e zhvilluar në Shtator 2020.
Sipas njoftimit të Komisionit të Vetingut, Hysenaj, një prej drejtuesve të prokurorisë së kryeqytetit, do të përballet sërish me trupën e përbërë nga Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Firdes Shuli, në një seancë dëgjimore në datën 15 Prill 2021.
Në seancën e parë dëgjimore, të zhvilluar në 18 Shtator të vitit të kaluar, prokurori Hysenaj u përball me një seri të gjatë problemesh, sidomos sa i përket kriterit të pasurisë dhe integritetit personal.
Pas asaj seance, KPK u tërhoq për të dhënë vendimin, të parashikuar për t’u shpallur në 25 Shtator 2020. Por, nëpërmjet një vendimi, të paargumentuar publikisht, trupa e Vetingut vendosi të shtyjë seancën për në një moment të dytë.
Tashmë, KPK duket se ka caktuar “momentin e dytë” për prokurorin Hysenaj, pas një periudhë 7-mujore ri-verifikimesh.