I akuzuar për dy vrasje 25 vite më parë, vjen në pranga i dënuari me 23 vite burg! Historia e ekzekutimit dhe vendimet e gjykatave

NIKOLETA KOVAÇI/ Një ish-efektiv policie, i cili është larguar nga radhët e Policisë në vitin 1997, është sjellë në pranga si i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për Tomor Çelën, 56 vjeç, nga Lushnja, i cili është nën akuzë për dy vrasje të po atij viti të largët, ‘97. Policia e Shtetit që ka dhënë informacionin e ndalimit dhe të ekstradimit të tij, bën me dije se ndaj këtij personi ekziston një vendim i Gjykatës së Tiranës që e ka dënuar me 23 vite burg.

Ky vendim është marrë në vitin 2014, pas një procesi të gjatë në mungesë të tij. Policia në njoftimin e saj bën me dije edhe emrat e dy personave që thuhet se janë vrarë nga i ekstraduari i djeshëm, gjithnjë referuar vendimeve të gjykatave dhe dosjes se Prokurorisë së Tiranës. Por, një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që e ka kthyer çështjen për gjykim në shkallën e parë, ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me procesin e hetimit dhe të gjykimit ndaj këtij personi.

Duke iu referuar këtij vendimi, më saktë të vetmit vendim që gjendet i zbardhur, mësohet se Prokuroria e Tiranës në momentin kur ka çuar në gjykim çështjen, rreth 7 vite pas vrasjes thotë se sherri që çoi në vrasje kishte ndodhur të paktën disa muaj përpara se të ndodhte ekzekutimi i dyfishtë!

Gazeta “Panorama” iu referua këtij vendimi të Gjykatës së Lartë për të parë se çfarë vërtetë ka ndodhur në nëntorin e 25 viteve më parë në afërsi të shkollës “Bajram Curri” në Tiranë, ku në një mjet “Volvo’ u gjenden të vrarë me armë zjarri dy të rinj, konkretisht Ledian Hoxha dhe Elton Dani. Vite më vonë Policia e Tiranës dhe Prokuroria arritën të vënë nën akuzë ish-oficerin e Komisariatit nr. 4 të Tiranës, por pa mundur ta vënë në pranga.

Pas vendimeve të dy shkallëve të para të Gjykatës, i akuzuari për dy vrasje bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar jo vetëm për shkelje të rënda gjatë procesit, por madje duke pretenduar se është tërësisht i pafajshëm dhe se nuk ka marrë pjesë në atë vrasje. Po çfarë thotë vendimi i shkallës më të lartë të gjykimit, për çështjen, ngjarjen dhe kthimin e saj për gjykim në Gjykatën e Tiranës, por me një trupë tjetër gjyqësore?

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

“…pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Besnik Imeraj; prokurorin Bujar Sheshi, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë; avokatin A. Salati, që kërkoi prishjen e dy vendimeve dhe dërgimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, si dhe shqyrtoi në tërësi çështjen. VËR E N Në datë 27.11.1997, rreth orës 20.30, në Lagjen nr.9, Rruga “Bajram Curri”, ndërmjet pallateve 490/7 dhe 490/8, në automjetin me targa “CT403167” tip “Volvo” janë vrarë me armë zjarri shtetasit Elton Dani dhe Ledian Hoxha, viktimat janë gjetur të armatosur me armë zjarri.

Sa kanë pranuar të provuar gjykatat e faktit, dy viktimat janë vrarë nga i gjykuari Tomor Çela, banor i Tiranës dhe në atë periudhë ka qenë me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë nr.4 Tiranë deri më datën 15.6.1997, datë në të cilën ai është liruar nga kjo detyrë. Tri-katër ditë para ngjarjes i pandehuri ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij “Benz Mercedez” të llojit 240, dhe është përplasur me automjetin që drejtohej nga i ndjeri Ledian Hoxha, në të cilën ndodhej edhe shoku i tij, i ndjeri Elton Dani.

Nga incidenti i mësipërm acarimi i palëve arriti në atë shkallë, sa në datën 27.11.1997 solli ngjarjen për të cilën i pandehuri Tomor Çela akuzohet. Në datë 27.11.1997 i pandehuri Tomorr Çela i shoqëruar nga disa shokë, si edhe nga vëllai i tij Elton Çela kanë qenë duke pirë në lokalin e dëshmitarit Luan Karaji ku kanë qëndruar deri rreth orës 19:30, orë në të cilën janë vrarë dy viktimat. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, ka deklaruar fajtor të gjykuarin dhe e ka dënuar dy herë sipas dispozitës së nenit 78 e 25 të Kodit Penal dhe nenit 278/2 të Kodit Penal.

Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke gjetur të bazuara në ligj pretendimet e ngritura në rekurs nga ana e të gjykuarit vetëm për sa i përket shkeljeve procedurale që lidhen me njoftimin e të pandehurit të lirë, çmon se vendimet e dy gjykatave duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë

Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se gjykimi i çështjes në shkallë të parë është kryer në shkelje të rregullave procedurale që lidhen me thirrjen dhe pjesëmarrjen e të pandehurit në gjykim kur ajo ka qenë e domosdoshme, rrethanë kjo që në kuptim të dispozitës së nenit 128/c të Kodit të Procedurave Penale e bën vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një akt absolutisht të pavlefshëm. Kështu, rezulton se me urdhrat e datës 13.06.2006 dhe 29.06.2006 të gjyqtarit R. Hado është urdhëruar kërkimi i të pandehurit Tomor Çela nga organet e policisë, ndërkohë që rezulton e provuar se ky i pandehur në atë periudhë ka qenë i hetuar në gjendje të lirë, pasi masa e sigurimit arrest në burg ndaj tij është caktuar në datën 21.1.2009. Në rrethanat e mësipërme, duke qenë se i pandehuri Tomor ka qenë në gjendje të lirë, njoftimi i tij ka qenë i detyruar të kryhej komfor rregullimeve që parashikon dispozita e nenit 140 të Kodit të Procedurave Penale.

Sipas pikës 1 të kësaj dispozite, “njoftimi i të pandehurit në gjendje të lirë bëhet duke i dorëzuar atij kopjen e aktit. Kur nuk mund t’i dorëzohet personalisht, njoftimi bëhet në banesën e tij ose në vendin e punës duke ja dorëzuar aktin një personi që bashkëjeton, ose një fqinji ose një personi që punon me të”. Në dosjen gjyqësore nuk ekziston asnjë akt që të tregojë se gjykata e shkallës së parë t’i ketë dorëzuar të gjykuarit Çela kopjen e fletë thirrjes, që gjykata fletë thirrjen t’ia ketë dorëzuar në banesë apo vendin e punës ndonjërit prej personave që përcakton dispozita, duke konsideruar kështu të gjykuarin Tomor Çela të panjoftuar për gjykimin e tij në gjykatën e shkallës së parë. Në rrethanat kur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është një akt absolutisht i pavlefshëm, në kuptim të dispozitës së nenit 131/1 të Kodit të Procedurave Penale, kjo pavlefshmëri bën të pavlefshëm edhe vendimin nr.387, datë 14.5.2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë, edhe pse nga kjo Gjykatë në gjykim janë zbatuar drejt kërkesat procedurale që lidhen me njoftimin e të pandehurit në mungesë.