Partia Demokratike kërkon disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë në mbrojtje të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias që dhunohen ose kanosen për bashkë të detyrës. Konkretisht, deputetja demokrate Ina Zhupa depozitoi dje në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin me 3 nene të amenduara të Kodit Penal, duke propozuar ashpërsimin e dënimeve me burg ndaj agresorëve të përfaqësuesve të mediave nga 1 deri në 5 vite burg. PD synon që gazetarët dhe punonjësit e tjerë të sektorit mediatik t’u garantohet mbrojtje ligjore nga shteti njësoj si për mjekët dhe policët. Ky projektligj vjen pas 2 rasteve tronditëse të dhunimit të gazetarit të “Report TV” në Lezhë, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij nga dy persona si dhe të gazetarëve të “Fiks Fare” në Nikël, të cilët u mbajtën peng për 30 minuta. Ky projektligj përmban firmat e disa deputetëve të PD.Zhupa: Misioni i gazetërëve fisnik, dhuna dhe kërcënimi ndaj tyre të dënohen maksimalisht
Në fjalën e saj për mediat, para Kryesisë së Kuvendit, deputetja Ina Zhupa u shpreh se prej kohësh gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias dhunohen verbalisht që nga kryeministri Edi Rama deri te ushtrimi i dhunës fizike. Ajo e cilësoi punën e medias si mision fisnik në shërbim të qytetarëve, ndaj meriton të mbrohet ligjërisht me masa ndëshkuese maksimale. “Për shkak se edhe gazetarët sot për shkak të retorikës kundra gazetarëve që përdor Kryeministri Rama, duke i cilësuar ata si ‘kazan’, duke i cilësuar mediat e kapura, duke i çuar në riedukim, duke i përdorur këto terma të cilat nxisin dhunë, urrejtje, kanë rritur edhe rastet e dhunimeve të gazetarëve. Vetëm ditët e fundit kemi disa raste, ku janë dhunuar gazetarët e ‘Report Tv’, të emisionit ‘Fiks Fare’ dhe gazetarë të tjerë, të cilët marrin mesazhe kërcënuese, apo kanosen gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si gazetarë. Dhe ky është një mision. Dhe për aq kohë sa gazetari është duke kryer një mision, dhe për këtë mision fisnik që bën ndaj qytetarëve merr edhe kërcënime, merr edhe kanosjen, merr edhe dhunimin, atëherë ashpërsia duhet të jetë maksimale”, bëri me dije Ina Zhupa.
Propozimet, 1-5 vite burg për ata që dhunojnë gazetarët dhe punonjësit e medias
Konkretisht, deputetët e PD propozojnë 3 ndryshime nenesh të Kodit Penal. Fillimisht, ata hedhin idenë e ndryshimit të nenit 137, ku të saktësohet se dhunimi i gazetarëve, operatorëve, fotoreporterëve apo punonjësve të tjerë të medias, të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vite. “Projektligji përmban gjithsej 3 nene. Neni i parë, është neni që kryen shtimin e një dispozitë të re në Kodin Penal. Konkretisht, tek neni ekzistues me nr. rendor 137, i titulluar ‘për shkak të detyrës’, pas paragrafit të katërt, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: ‘Kur kjo vepër kryhet ndaj gazetarit, operatorit, fotoreporterit apo punjonjësit të mediave, për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet’”, shkruhet në projektligjin e depozituar nga PD në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Propozimi tjetër, 1-3 vite burg për ata që kanosin gazetarët
Më tej, deputetët e PD kërkojnë dhe ashpërsimin e dënimit për rastet kur gazetarët dhe pjesëtarët e tjerë të mediave kanosen për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre. Në nenint 138, propozohet të shtohet masa dënim me 1 deri në 3 vite burg, për çdo person që kërcënon me jetë (kanos) gazetarët. “Neni i dytë parashikon shtimin e një dispozite të re në Kodin Penal. Konkretisht, tek neni ekzistues me nr. rendor 138, i titulluar ‘Kanosja per shkak te detyres’, pas paragrafit të katërt, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: ‘Kur kjo vepër kryhet ndaj gazetarit, operatorit, fotoreporterit apo punjonjësit të mediave, për shkak të veprimtarisëe së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet’”, shkruhet më tej në pr/ligjin e PD.
Pr/ligji, në rast miratimi, të zbatohet nga MD, prokuroritë, gjykatat dhe policia
Në fund, PD kërkon që zbatimi i projektligjit të ri, në rast se bëhet ligj me votë, të hyjë në fuqi brenda 15-ditëve. PD kërkon që kjo përgjegjësi t’i ngarkohet Ministrisë së Drejtësisë, prokurorive, gjykatave dhe policisë. “Neni i tretë dhe i fundit i Projektligjit parashikon dispozitën e zakonshme për hyrjen në fuqi të ligjit, 15-ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Institucionet përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin e këtij ligji janë Ministria e Drejtësisë, institucioni i Prokurorisë, Gjykatat, si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese të cilat kanë për detyrë zbatimin e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, mbyllet projektligji i PD për masat penalizuese në mbrojtje të gazetarëve dhe punonjësve të medias.