Gjyqi 3-ditor për Elisabeta Imeraj, ballafaqimi i fakteve për pasurinë dhe figurën, intriga, një histori bullizimi dhe dyshime për “komplot”! KPA vendim në 12 prill

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vijojnë prej tre ditësh seancat gjyqësore për shkarkimin ose konfirmimin në detyrë të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

 

Shkalla e parë e Vetingut konfirmoi në detyrë Elisabeta Imerajn në prill të vitit 2021, me arsyetimin se përmbush të tre kriteret; ligjshmërinë e pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kërkojnë shkarkimin nga detyra të kryeprokurores së Tiranës, me pretendimin se nuk përmbush asnjërin nga kriteret.

 

Kolegji mbylli sot shqyrtimin maratonë gjyqësor, ndërsa do të marrë vendimin pwr riceljen ose jo tw gjyqit në 12 prill 2022. Në seancën e sotme, Komisioneri Florian Ballhysa iu përgjigj 24 pyetjeve të prokurores Imeraj rreth konstatimeve për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, duke i qëndruar kërkesës për shkarkim nga detyra.

Nga ana tjetër, Imeraj parashtroi edhe një herë kundërshtimet e saj për çdo pretendim të Komisionerit dhe ONM. Elisabeta Imeraj shprehu bindjen se ky proces ndaj saj është i sajuar dhe orkestruar nga një dorë dashakeqe, bazuar në letra anonime, ndërsa tha se ka deklaruar me korrektësi pasurinë, ka plotësuar saktësisht formularin e pastërtisë së figurës dhe është e aftë profesionalisht.

Zonja Imeraj u shpreh sot se Komisioneri Publik duhej ta refuzonte rekomandimin e ONM-së për të ankimuar vendimin për konfirmimin e saj në detyrë. Imeraj ngriti dyshime për një intimidim të mundshëm të Komisionerit Publik nga ONM, duke sjellë në vëmendje se edhe anëtarët e KPK-së kanë bërë një letër publike, ku janë ankuar për presion nga vëzhguesi i më i famshëm ndërkombëtar, Theo Jacobs.

Pastërtia e figurës

ONM dhe Komisioneri pretenduan në shkallën e dytë dhe të fundit të Vetingut se Elisabeta Imeraj ka fshehur faktin se ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij janë dënuar në vitin 2002 nga Gjykata e Romës me nga 8 vjet burgim dhe gjobë prej 55 mijë euro, për prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore. Elisabeta Imeraj kundërshtoi gjetjen, duke theksuar se ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij janë shpallur të pafajshëm në Apel. Prokurorja ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni të këtij procesi. Imerajt ka pohuar se legjislacioni përjashton nga përfshirja në krimin e organizuar individët, për të cilët ka vendim pafajësie të formës së prerë.

Pasuria

ONM dhe Komisioneri Publik theksojnë se Elisabeta Imeraj nuk ka deklaruar dy njësi 73 m2 dhe 61 m2, si dhe 1464 m2 tokë, si pjesë e regjimit martesor me bashkëshortin e saj, Agron Bajri, siç edhe është operuar zakonisht. Prokurorja Imeraj deklaron se pronat në fjalë janë pasuri apo të drejta të krijuara përpara lidhjes së martesës dhe si të tilla i qëndrojnë individualisht ish-bashkëshortit. Imeraj tha se nuk ka pasur asnjë të drejtë mbi këto pasuri. Prokurorja Elizabeta Imeraj theksoi se nuk ka pasur ndonjëherë pasuri në bashkëpronësi.

Komisioneri Publik ka hedhur poshtë pretendimet e Imeraj duke sjellë në një rast kartelën e një pasurie në bashkëpronësi, ku rezulton emri i prokurores. Ballhysa solli disa deklarata dhe kontrata ku prokurorja kishte pasuri në bashkëpronësi. Por, prokurorja ka pohuar se kjo kartelë pasurie nuk është e rregullt.

“Kartela e pasurisë nuk është e rregullt. Është false. Nuk është lëshuar nga ZRPP. Mban vetëm njërin pronar”, tha prokurorja.

Imeraj renditi një sërë kërkesash drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, ku me përgjigjet e këtyre institucioneve pohoi se provon se nuk ka zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk ka rezultuar bashkëpronare në asnjë pasuri. Të njëjtat argumente u përsëritën edhe për një tjetër pronë në Mullet. Bëhet fjalë për 400 m2 tokë, pasuri të për cilën Komisioneri thekon se nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe se nuk është deklaruar nga prokurorja në vitin 2007, kur janë fituar këto pasuri.

Elisabeta Imeraj ka deklaruar se nuk ka pasur as të drejtë pronësie dhe as detyrim për të deklaruar dhe justifikuar këto pasuri. Por, Komisioneri Publik solli një kontratë të vitit 2012, ku kjo pronë ishte shkëmbyer me 2 500 m2 tokë tek Fusha e Aviacionit në Tiranë. Në këtë kontratë ishte vendosur firma e prokurores, sipas Ballhysës, si bashkëpronare. Komisioneri tha gjithashtu se Imeraj e kishte deklaruar edhe në vitin 2012 në bashkëpronësi tokën 2 500 m2 tokë tek Fusha e Aviacionit në Tiranë.

Elisabeta Imeraj u përgjigj duke thëne se firma e saj ishte një gabim noterial dhe pakujdesi nga ana e saj.

“Është gabim noterial. Por, edhe pakujdesi nga ana ime. Kur është bërë shkëmbimi, është bërë si pasuri individuale. Nuk ka asnjë pasuri te padeklaruar prej meje”, tha prokurorja.

Në vitin 2008, Elisabeta Imeraj deklaron dy apartamente në bashkëpronësi me sipërfaqe 66 m2 dhe 70,4m2 në Tiranë, me burim një kredi 100 mijë euro. Sipas Komisionerit Publik dhe ONM-së, prokurorja Imeraj nuk ka burime ndër vite për të pagua këstet e kredisë, ka bërë deklarime të ndryshme për këtë pasuri në deklaratën e vitit përkatës në raport më deklaratën e firmosur për Vetingun, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm etj. Në përgjigjen e saj, Elisabeta Imeraj tha sot se nuk i kuptonte pretendimet e Komisionerit për këtë pasuri, pasi është e mbuluar me kredinë e deklaruar.

Në vijim, Komisioneri gjeti si pasuri problematike blerjen e një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 73 m3, deklaruar një herë në vlerën 500 000 lekë dhe një herë 3.900.000 lekë, dhe rivlerësuar 140 mijë euro. Sipas Komisionerit, prokuroja nuk e justifikon me burime të ligjshme blerjen e kësaj pasurie.

Elisabeta Imeraj tha se nuk ka lidhje me këtë pasuri dhe se sot nuk e di se kush jeton në këtë apartament. Prokurorja tha se kontrata është bërë mes ish bashkëshortit të saj dhe vëllait të tij, me qëllim për ta përdorur këtë pronë si kolateral për kredinë.

Komisioneri ngriti pretendime se Elisabeta Imeraj nuk kishte të ardhura për shlyerjen e parakohshme të një kredie 20 milionë lekë të vjetra që e kishte marrë në vitin 2006, nuk justifikon një kat të deklaruar në një ndërtesë 5-kate dhe se nuk ka paguar taksa për të ardhurat nga qiratë, pretendime këto që të gjitha të kundërshtuara nga prokurorja.

Profesionalizmi

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik, sa i takon aftësive profesionale, kanë konstatuar se Elisabeta Imeraj se dy çështje që ka pasur në dorë i ka transferuar për për moskompetencë, çka ka sjelle zvarritje dhe pamundësi ankimimi, duke favorizuar pozitën e personit të hetuar. Elisabeta Imeraj u shpreh se kishte përfaqësuar në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda më shumë se 100 çështje me rreth 160 të pandehur, ku vetëm në tre raste ishte dhënë pafajësi. Ajo kërkoi që dosjet e saj të vlerësoheshin në tërësi.

Një histori bullizimi dhe hakmarrje

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj, duke iu referuar të dhënave në një dosje penale, nxori në pah angazhimin e anëtares së Vetingut, Genta Bungo, duke dhënë udhëzime dhe opinione kundër saj, madje duke bullizuar. Imeraj paraqiti disa mesazhe të Bungos, me një punonjëse të Vetingut, ku përçmonte prokuroren Imeraj edhe për origjinën e saj nga Tropoja.

“Çfarë pune kam unë që po më ngatërron me Elisabeta Imerajn? Tentativat e saj për të penguar komisioneren i dinë edhe muret e komisionit. Ça të duhet, një maloke më pak? Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime”, thuhet në mesazhin e Bungos, i pretenduar nga Elisabeta Imeraj.

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj pretendon se urrejtja e Genta Bungos ndaj saj buron tek një konflikt i vitit 1999 mes Bungos dhe ish-bashkëshortit të saj Argon Bajri, kur ai kishte qenë student dhe ishte përjashtuar prej saj.

Historia me ish vëzhguesin ndërkombëtar Hans Kijlstra

Vëzhguesi i Theo Jacobs ka akuzuar Elisabeta Imerajn se qëndron pas përgjimit, shantazhit dhe kërcënimit të vëzhguesit tjetër ndërkombëtar, Hans Kijlstra, i cili për shkak të kësaj situate u larguar nga Shqipëria. Sipas Theo Jacobs, Imeraj kishte vënë njerëz ta ndiqnin dhe ta fotografonin Hans Kijlstra, përfshirë pretendimin se kishin foto komprometuese ndaj tij për një histori rozë.

 

Elisabeta Imeraj i ka hedhur poshtë këtë pretendime. Ajo ka deklaruar se nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë rrethanë për përfshirjen e saj. Pretendimet janë bazuar në letrën e Rrahim Shehut, një emër i rremë i përdorur me gjasë nga një denoncues anonim. Këto pretendime, sipas saj, mbeten pa asnjë të dhënë tjetër me vlerë provuese. Në këtë konkluzion në fakt ka dalë edhe Komisioni i Vetingut i shkallës së parë.

 

Nga ana tjetër, Theo Jacobs është ndalur tek dorëheqje e ish-relatores Etleda Çiftja, e cila shprehej se kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i ishin afruar për t’i kërkuar qëndrim më fleksibël në çështjen ndaj Imerajt. Por, Imeraj ka theksuar se nuk ka asnjë provë dhe rrethanë për këtë pretendim. Gjatë seancës së sotme, Imeraj shprehur habi mbi justifikimin e Etleda Çiftjas për t’u tërhequr si relatore e çështjes.

 

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ngritur dyshime edhe sa i takon divorcit të prokurores Elisabeta Imeraj me bashkëshortin e saj në vitin 2019. Sipas ONM divorci“ka qenë fiktiv, si një përpjekje për të distancuar veten nga veprimet e paligjshme të ish bashkëshortit e për ta shmangur këtë të fundit si objekt i kontrollit nga procesi i rivlerësimit”.

 

Elisabeta Imerajn ka deklaruar se divorci nuk ka asnjë lidhje me Vetingun, për me arsye të tjera, të cilat nuk ka preferuar t’i ndajë me publikun. Pretendimet e të dy palëve do të ‘peshohen’ dhe shqyrtohen nga KPA-ja, dhe në fund do të vendosë për konfirmimin në detyrë të Elisabeta Imerajt ose shkarkimin e saj nga detyra.