Ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti kallzohet në SPAK.

Balancat financiare negative në vlera të konsiderueshme për ndërtimin e një shtëpie në Librazhd dhe për blerjen e një apartamenti në Tiranë sollën shkarkimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Sulejman Kurti. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, e vlerësoi Kurtin në nivel kualifikues për profesionalizmin. Ndërsa një raport i dytë i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK që rekomandonte papërshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën, nuk e bindi KPK-në. Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Firdes Shuli kryesuse, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare konkluduan se gjyqtari Sulejman Kurti nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e deklarimit të pasurisë dhe vendosën më 6 nëntor 2019 shkarkimin e tij nga detyra për këtë kriter të rivlerësimit. Pamundësi financiare për shtëpitë Kurti është gjetur në pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie në Librazhd mbi një truall me sipërfaqe 163 m2 të blerë në më 14 prill 1999. Komisioni konstaton se kati i parë i kësaj shtëpie është ndërtuar në vitet 1997 – 1998, ndërsa kati i dytë në vitin 2005. Për këtë pasuri, gjyqtari Kurti ka deklaruar vlerën 3.7 milion lekë, të përllogaritur në bazë të një aktvlerësimi të vitit 1998 në vlerën 1.8 milion lekë të përgatirur nga Bashkia Librazhd për katin e parë dhe të një preventivi në vlerën 1.9 milion lekë për katin e dytë të ndërtuar në vitin 2005. Ai ka pretenduar se për të ndërtuar shtëpinë në Librazhd është ndihmuar nga familjarët. Kurti ka shpjeguar para Komisonit se në mënyrë artizanale kanë prodhuar 14 mijë tulla, dy furra me gëlqere dhe kanë grumbulluar inerte në lumë, si gurë, zhavorr dhe rërë. Ai ka theksuar se, përveç ndihmës fizike, familjarët i kanë dhënë edhe 200 mijë lekë të përfituara nga pushkatimi pa gjyq të gjyshit të tij. Komisioni e ka kryer analizën financiare të krijimit të kësaj pasurie në dy periudha; asaj për ndërtimin e katit të parë në vitin 1998 dhe të katit të dytë në vitin në vitin 2005. Në analizën financiare për ndërtimin e katit të parë, Komisioni ka përfshirë si burime të ligjshme të ardhurat e përfituara nga puna e gjyqtarit Kurti dhe e bashkëshortes për për periudhën 1992 – 1998 në vlerë totale 1.2 milion lekë. Por, kësaj shume i është zbritur vlera 644 mijë lekë për shpenzimet jetike. Ndërkohë, është përllogaritur si burim i ligjshëm edhe vlera 200 mijë lekë e përfituar nga babai dhe halla si pasojë e pushkatimit pa gjyq të gjyshit, edhe pse sipas KPK-së, nuk është vënë në dispozicion ndonjë dokument provues. Komisioni nuk ka marrë në konsideratë pretendimin e Kurtit se së bashku me familjarët kanë prodhuar në mënyrë artizanale 14 mijë copë tulla, gëlqere dhe se ka grumbulluar inertet e përdorura për ndërtim dhe as punën e atij vetë e të familjarëve. Në analizën financiare vlera e ndërtimit të katit të parë të banesës konsiderohet në shumën 1.8 milion lekë. KPK arsyuetoi se nuk kishet asnjë provë për ndërtimin e shtëpisë duke përdorur tulla të bëra vetë, ndërsa po ashtu rrëzoi argumentet e Kurtit se kostot e ndërtimit në Librazhd në këtë kohë ishin më të ulta se referenca zyrtare nga Enti Kombëtar i Banesave. KPK arsyetoi se disa raste shitblerjesh që u paraqitën si provë ishin për shtëpi të ndërtuara shumë më herët dhe po ashtu në një rast bëhej fjalë për veprime formale të shkëmbimit të apartamenteve që nuk ishte një transaksion i mirfilltë. Në vendim thuhet se Kurti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme financiare për të përballuar shpenzimet e jetesës dhe për ndërtimin e katit të parë të kësaj pasurie, pasi nga analiza financiare për periudhën në fjalë rezulton një vlerë negative prej 1.1 milion lekë. Lidhur me ndërtimin e katit të dytë dhe të një shtese anësore në vitin 2005, në deklarimin periodik Kurti ka shënuar se ka shpenzuar rreth 2 milionë lekë, por, sipas Komisionit, nuk ka deklaruar burimin e kësaj shume. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Kruti ka deklaruar të ardhura nga punësimi që, sipas KPK-së janë në vlerën 1.1 milion lekë; një hua nga kunati në shumën 1 milion lekë; hua nga vëllai në vlerën 500 mijë lekë; kredi bankare 400 mijë lekë dhe të ardhura nga qiraja 100 mijë lekë. Komisioni ka përllogaritur edhe gjendje cash në vlerën 800 mijë lekë. Ndërkohë, janë konsideruar si shpenzime jetike 781 mijë lekë dhe një gjendje negative në bankë në shumën 5.106 lekë që janë zbritur nga të ardhurat. KPK konsideron se huadhënësit kanë pasur mundësi financiare nga burime të ligjshme për krijimin e vlerave që i kanë dhënë Kurtit. Për ndërtimin e katit të dytë dhe shtesës me sipërfaqe totale 261.5 m2, Komisioni ka përllogaritur si kosto të ndërtimit vlerën 6.5 milion lekë që rezutlon tre herë më e lartë nga ajo e deklaruar nga Kurti. Edhe pse ai ka pretenduar se i ka kryer vetë punimet i ndihmuar edhe nga familjarët dhe i asistuar nga një teknik ndërtimi, në përfundim nga analiza financiare është konkluduar një balancë negative në vlerën – 3.4 milion lekë për ndërtimin e katit të dytë, shtesës dhe çatisë në vititin 2005. Ndërsa në total, pamundësia financiare e gjyqtarit Kurti për ndërtimin e shtëpisë në Librazhd ka rezultuar në vlerën 4.5 milion lekë. Tjetër problem që identifikon Komisioni lidhur me këtë pasuri është fakti se leja e ndërtimit për katin shtesë në vitin 2005 është në emër të një shoqërie ndërtuese. Në vendim thuhet se Kurti ka deklaruar se nuk kanë pasur marrëdhënie me këtë shoqëri dhe se emri i saj është përmendur gabimisht në akt-kolaudimi. “Ndërkohë që pjesë e dosjes së aplikimit të kryer nga subjekti është edhe vërtetimi i datës 21.12.2006, i Degës së Tatimeve, ç’ka duket se konfirmon ekzistencën dhe vazhdimin e marrëdhënies së subjektit me këtë shoqëri” thuhet në vendim. Kurti ka deklaruar para trupës gjykuese se kontrata me shoqërinë “H.” sh.p.k., është përdorur vetëm për të nxjerrë lejen e ndërtimit, ndërsa ndërtimi është bërë nga ai vetë si investitor, pasi nuk ishte rënë dakord me subjektin në fjalë për çmimet e punimeve që do të kryente dhe afatin e punimeve. Komisioni konkludon mospërputhje midis deklaratës veting dhe deklarimeve të tjera, apo konstatimeve nga dokumentet e administruara gjatë hetimit administrativ lidhur me sipërfaqen totale të banesës trekatëshe, në pronësi të Kurtit. Mospërputhje janë konstatuar edhe në lidhje me vlerën e pronës në fjalë, mbi kostot e ndërtimit të saj dhe në deklarimin e burimit të krijimit. Komisioni konkludoi për pamundësi financiare edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 33.78 m2 më 25 shtator të vitit 2010 në Tiranë me vlerë 4.3 milion lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Kurti ka deklaruar një kredi bankare në shumën prej 980.00018 lekësh; dy hua me interes marrë nga dy individë të ndryshëm, një në shumën 1 milion lekë dhe një në shumën 15 mijë euro. Ndërsa për pjesën tjetër të mbetur të vlerës së apartamentit, gjyqtari Kurti ka shpjeguar se është paguar me të ardhurat dhe kursimet e tij e të bashkëshortes. Në analizën financiare të përgatitur nga Komisioni, shuma prej 15 mijë euro që ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit ka marrë hua është konsideruar si e ardhur me burime të ligjshme, pasi është vërtetuar mundësia financiare e huadhënësit. Ndërkohë, nuk është përfshirë në analizën financiare huaja 1 milion lekë, pasi deklarimi i Kurtit se huadhënësja kishte përfituar një vlerë të konsiderueshme nga shitja e një pasurie të paluajtshme nuk ka qenë bindëse për Komisionin. KPK ka gjetur se shitja e kësaj pasurie të paluajtshme nga huadhënësja ishte kryer disa muaj pas datës kur pretendohet se është dhënë huaja 1 milion lekë. Nga analiza financiare është konkluduar se Kurti nuk ka pasur burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në Tiranë, pasi ka rezultuar me mungesë në vlerën prej 819 lekësh. Ndërkohë, nuk identifikohen probleme në blerjen e një autoveture tip “Daimler Chrysler”, prodhim i vitit 2005, blerë në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë. Në përfundim Komisioni vlerëson se për sa i takon kriterit të pasurisë, gjyqtari Sulejman Kurti, nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për të kryer të gjitha investimet e konstatuara, për të përballuar shpenzimet, apo për të realizuar kursimet e deklaruara dhe ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

Për këto arsye dhe për shumë rrëthana të tjera janë paraqitur kundër Ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti i  cili  kallzohet në  SPAK duke u dorzuar nga ana kallzuesve 3000 faqe prova .