“Ngrin” çështja e Luan Dacit / Ja çfarë po ndodh me gjyqtarin e korruptuar

Mesa duket një heshtje e madhe ka kapluar çështjen e Luan Dacit edhe pse gjyqi është shtyrë plot katër herë për arsye nga më absurde. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve, prandaj edhe Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për Dacin.

Sipas Kodit penal kjo vepër penale dënohet deri në tre vjet burg. Luan Daci është shkarkuar në vitin 1997 për shkak se ka mbajtur të fshehur një vendim në lidhje me një firmë piramidale për rreth 6 muaj.

Por gjatë aplikimit për të qenë pjesë e KPA-së, në intervistën me Komisionin Parlamentar ad hoc, Daci fshehu shkarkimin nga detyra duke pohuar se kishte ikur me dorëheqje.

Pas hetimeve, SPAK kërkoi pezullimin nga detyra të tij dhe akuzoi Dacin se ka falsifikuar dokumentat. Ai u pezullua nga puna, por më pas gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rikthimin e tij në punë.

Pas kësaj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi për pezullimin e tij nga detyra deri në përfundim të procesit.

Gjithçka mbetet për tu parë në seancën e radhës që do të zhvillohet më 8 Mars, ku pritet te jepet edhe vendimi përfundimtar.