Operacionet e SPAK, Yuri Kim: Publiku ka filluar të besojë! Sistemi funksionon por akoma 100%, nuk ka prokurorë e gjykatës

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim në fjalën e saj në eventin “Forcimi i drejtësisë penale”, është shprehur se operacionet e vitit dhe javëve të fundit të institucioneve të reja të drejtësisë, kanë filluar të krijojnë besimin e publikut.

“Është mirë të shikoj të mbledhur për të diskutuar së bashku për luftën kundër krimit. Ju e dini më mirë se unë. Unë jam e huaj por ju jetoni këtu. Lufta kundër krimit nuk varet nga puna e një institucioni të vetëm. Fokusi ynë sot është puna e përbashkët për të ndërtuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Në vitet e fundit, që kur institucionet janë ngritur kanë filluar të krijojnë besimin e publikut”, ka thënë ajo.

Sipas diplomates së lartë të SHBA, sistemi ka nisur të funksionojë, por ende nuk është në majën e performancës së vetë, për shkak se nuk ka gjyqtarë e prokurorë dhe për shkak të mungesës së besimit të publikut. Ky fakt u evidentua dhe nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, i cili tha se nuk ka staf pasi një pjesë kanë dalë nga sistemi për shkak të vettingut.

“Në fakt, ngritja e këtyre institucioneve ka qenë një hap themelor i reformës në Drejtësi, sistemi është funksional, por nuk është ende në majë të performancës, për shkak të mungesës së personelit, apo mungesës së besimit të publikut.”

Ambasadorja Yuri Kim kujtoi dhe urdhrin e Presidentit të SHBA Joe Biden për konfiskimin e pasurive të personave të shpallur non-grata nga Amerika.

“Muajin e kaluar, Biden e bëri të qartë që SHBA e konsiderojnë korrupsionin kërcënim për sigurinë kombëtare, jo vetëm të SHBA, por edhe të aleatëve, prandaj zgjeroi urdhrin e tij. Ai ka identifikuar sjellje të tjera të dënueshme, dhe e ka bërë urdhrin ekzekutiv ndaj një game të gjerë të këtyre personave në Ballkanin Perëndimor. Duhet të nxisë prokurorinë që të luftojë korrupsionin. SHBA do ju mbështesë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt, më të begatë.”