Prokurorja e Kukësit shpërthen në lot para Vettingut/ Braktis sallën..

Gjatë kësaj kohe, Gjati u pa të qante dhe lëshoi kokën mes duarve, ndërsa dikush i rrihte shpatullat. Ata që e mbështesnin, u dëgjuan t’i sugjeronin se nuk duhej të lejonte relatimin. “Në djall shkofshin… Mos i jep mundësi të flasi (relatores)… Preja fjalën,” sugjeruan të afërmit.

Kur trupa u kthye në sallë dhe kryesuesja përfundoi leximin  e vendimit të refuzimit dhe tentoi t’ia kalonte fjalën relatores Genta Tafa (Bungo), avokati Visha brofi në këmbë, megjithëse ishte këshilluar herë pas here të fliste ulur për shkak të përkthimit.

Ai tha se ndjehej i fyer, pasi nuk i ishte pranuar asnjë kërkesë.

“Më vjen turp që kam ardhur para këtij Komisioni,” tha ai me zë të lartë, ndërsa shpalli se hiqte dorë nga mbrojtja dhe akuzoi trupën se nuk i kishte dhënë Gjatit as të drejtat që i jepeshin një të pandehuri të thjeshtë. Visha më pas aludoi se çështja ishte e paragjykuar dhe se tashmë e dinte vendimin.

Ai la sallën duke i thënë trupës: “Shëndet në familjet tuaja”.

Përpjekja e kryesueses për të vijuar seancën u has pas kësaj me kundërshtimin e Gjatit. Duke iu drejtuar për herë të parë trupës vetë, Gjati parashtroi pamundësi mjekësore për të bërë mbrojtjen e duhur, për shkak se sapo kishte kaluar COVID-19 dhe kishte qenë me raport deri së fundmi. Ajo tha se braktisja prej avokatit e kishte kapur në befasi dhe kërkoi kohë për një avokat tjetër.

Kur KPK vendosi me shumicë votash që kërkesa ishte e pabazuar dhe se subjekti nuk kishte sjellë raport që provonte pamundësinë fizike, Gjati dhe të afërmit braktisën po ashtu seancën. Gjati pretendoi se nuk iu dha mundësia për mbrojtje dinjitoze.

Ironikisht në relatimin që u lexua më vonë pa prani të subjektit, KPK vuri në dukje se i kishte kaluar asaj barrë prove edhe se nuk u kishte dhënë të drejtat për mbrojtje, personave që kishte hetuar.

Relatorja Genta Tafa (Bungo) vuri në dukje se prokurores i ishte kaluar barrë prove edhe për mosdeklarimin e një trualli 550 metra në Sarandë në pronësi të djalit të saj, që kur ky kishte qenë 5 vjeç.

Sipas KPK, u gjetën mungesë burimesh në rreth 6.7 milion lekë si dhe  mosdeklarim të kontaktit të papërshtatshëm me Sh.K, një ndërtues i dënuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në vitin 2018, të cilit familja e saj i detyrohej 4 milionë lekë. Gjati u akuzua gjithashtu për deklarim të rremë para Komisionit, cilësi të papranueshme profesionale dhe gjykim të dobët.

Bungo tha se Gjati kishte kundërshtuar këto gjetje dhe se qëndrimi i saj “pjesërisht bashkëpunues” do merrej në konsideratë./Birn