Plagosja me armë e ish-kryeministrit të Pakistanit, Imran Khan, për të cilin mbështetësit thonë se ishte atentat, është dënuar ndërkombëtarisht.
70-vjeçari Khan ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve pasi u qëlluar me plumb në këmbë të enjten në një marshim proteste në Warzirabad, në veri-lindje të vendit.
Një person u vra dhe të paktën 10 të tjerë u plagosën në sulmin ndaj eskortës së tij.
Por Khan është në gjendje të qëndrueshme, thotë ekipi i tij, dhe mund të dalë nga spitali në ditët në vijim.
Sulmi ndaj Khan e ka ‘elektrizuar’ vendin, me partinë e tij Tehreek-e-Insaf (PTI) të Pakistanit që ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare pas lutjeve të së premtes. Shkollat janë mbyllur në kryeqytetin, Islamabad.
Udhëheqësit e Pakistanit e kanë dënuar sulmin ndaj kundërshtarit të tyre. Presidentin Arif Alvi e quajti atë një “atentat të tmerrshëm” dhe kryeministri Shehbaz Sharif urdhëroi një hetim të menjëhershëm.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjithashtu ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë: “Dhuna nuk ka vend në politikë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna”.
Politikani mbetet i popullarizuar, por u rrëzua në prill në një votim parlamentar.
Që atëherë ai ka luftuar për t’u rikthyer në detyrë. I nxitur nga fitoret e forta të PTI-së në zgjedhjet e fundit lokale, Khan udhëhoqi një “marshim të gjatë” protestash duke kërkuar zgjedhje të parakohshme për të lehtësuar rikthimin e tij.
Ai e quajti largimin e tij si një komplot politik dhe ka kritikuar për muaj të tërë qeverinë aktuale dhe liderët ushtarakë.
Gjykatat e kanë dënuar për korrupsion, por ai i ka kundërshtuar vendimet si të motivuara politikisht.
Pakistani ka një histori të dhunës politike, me ish-kryeministren Benazir Bhutto të vrarë në vitin 2007. Shumë e evokuan vrasjen e saj pas sulmit ndaj Khan.
Vendi po përballet gjithashtu nga një krizë e vazhdueshme ekonomike dhe përmbytjet shkatërruese.