Kompania “Telebingo” që zotërohet nga biznesmeni Alban Dabulla, rezulton me “Flamur të Kuq” në ekstraktin e Qëndrës Kombëtare të Biznesit, shenjë kjo që tregon problemet me likujdimin e taksave dhe emërimin e administratorit.
Redaksia mëson se afati i emërimit të administratorit të “Nacional Bingo”, Olsi Agallijaj, ka përfunduar qysh prej datës 1 dhjetor 2018. Sipas legjislacionit për procedurat tatimore dhe Udhëzimit Nr.24 të Ministrisë së Financave, kompania në fjalë duhet të kishte emëruar administratorin e ri dhe dorëzuar atë pranë, Qëndrës Kombëtare të Biznesit.
Çdo veprim financiar i kryer nga persona të tjerë, cilësohet i paligjshëm. Për më tepër, “Flamuri i Kuq” në kompaninë “Nacional Bingo”, përmban shënimin se:
“…subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme…”.
Alban Dabulla, djali i ish-deputetes së PS Arta Dade
Por kjo situatë problematike me kompaninë e Alban Dabullës nuk është e vetmja që ndodh. Në një vëzhgim që redaksia ka bërë për bizneset e biznesmenit Dabulla, rezulton se nga 8 bizneset që ai disponon në Shqipëri, 5 rezultojnë me probleme të theksuara në mosdeklarimin e administratorit, mospagimin e bilanceve vjetore dhe mospagimin e taksave.
Kjo situatë problematike shfaqet në “Nacional Bingo”, “AB-OVO”, ku Alban Dabulla është pronar me 40 për qind të aksioneve. Në kompaninë e basteve “EuroLive”, tek universiteti “Dita” dhe tek kompania “VAAL”, ku Dabulla zotëron 25 për qind të aksioneve dhe administratorit, Ergys Gremi, i ka përfunduar afati prej 8 prillit 2012.
Të gjitha këto kompani tashmë janë në verifikim nga prokuroria e Tiranës, për evasion fiskal dhe mospagim të taksave. Ndërsa të vetmet kompani të Dabullës që ende nuk janë skeduar me “Flamur të Kuq”, janë “Rivjera” e ç’regjistruar në QKB në 2 gusht 2021, “Celere” dhe “Publikime Shqiptare”.
Ndërkohë një hetim i prokurorisë së Tiranës, për kompaninë “Telebingo” dhe pronarin e saj, Alban Dabulla, ka vijuar me vendosje të sekuestros prenventive, ku synohet parandalimi i tjetërsimit të aksioneve dhe fshirjes së të dhënave kompjuterike.
Sekuestroja nuk konsiston në bllokimin e aktivitetit tregtar të kompanive, por në lënien në rruajtje të aseteve, serverave dhe mos tjetërsimin e tyre nga administratori i këtij biznesi. Kjo masë shtrënguese për kompaninë “Telebingo”, që është vendosur tashmë nga prokuroria e Tiranës, është e dyta e këtij lloji.
Pasi për të njëjtën kompani ku pronar është, Alban Dabulla, në datën 25 tetor 2021, është vendosur një masë e dytë siguruese nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara e Rajonit Qëndror.