A do të ketë tërmete të forta në Shqipëri? Sizmiologu zbulon çfarë po ndodh dhe paralajmëron: Kemi hyrë në një situatë me…

Sizmiologu Edmond Dushi në një intervistë për emisionin “Panorama e mëngjesit” tha se tërmete si ai djeshmi në Lushnje janë të zakonshme në vendin tonë.

Ai sqaroi se këto lëkundje me magnitudë të moderuar tregojnë që Shqipëria është një vend sizmik.

Referuar tërmetit të fuqishëm në Shqipëri më 2019, por edhe tërmetit të pak javëve më parë në Turqi, Dushi tha se shqetësimi i qytetarëve është i drejtë.

Pas tërmetit të fortë në Turqi, sizmiologu Dushi u shpreh se kemi hyrë në një situatë me sforcime që qarkullojnë në gjithë rajonin.

“Reaktiviteti sizmik në Shqipëri mbështet hipotezat se Shqipëria është një vend sizmik aktiv dhe kjo lidhet me aspekte të tjera.

Sa i takon shqetësimit të qytetarëve kjo është e drejtë. Pavarësisht se ne e njohim dukurinë dhe e dimë sa janë limitet, por ajo që kemi përjetuar nga 2019 dhe tërmeti në Turqi bëhet me seriozë.

Tërmeti i djeshëm është një nga tërmetet e moderuara që bien vazhdimisht. Në çdo vit përjetojmë tërmete me magnitudë mbi 4. Këtë vit kemi pasur edhe dy të tillë, në Klos por edhe në këtë rajon.

Kjo është një tregues i qartë që impakti i gjeodinamikës në rajon ka prekur edhe Shqipërinë, kryesisht në zonën e jugut.

Kemi hyrë në një situatë me sforcime që qarkullojnë në gjithë rajonin për shkak të atij tërmetit të madh që ndodhi në Turqi.

Aktiviteti i shtuar sizmik duhet parë në optikën optimiste. Kur ka një aktivitet të fortë sizmik si ai i Turqisë, energjia fillon bie.

Ky aktivitet që ndodh në rajonin tonë tashmë, Greqia veriperëndimore dhe Shqipëria jugore është pasojë e një reflektimi të atyre sforcimeve që janë transformuar për shkak të lëvizjes që ka ndodhur.

Territoret që janë aktive nuk janë në gjendje qetësie. Një doze e shtuar është provokuese për mikro aktivitet.

Sa i takon tërmeteve të fundit kjo është një zonë e njohur, zona e Dumresë ku përbërja gjeologjike është e tillë që favorizon këto lëvizjet vertikale që shprehen pastaj me masa të moderuara.

Kjo është një zonë aktive. Nëse i referohemi të kaluar kemi pasur ne 2012, 2018 kemi pasur aktivitet sizmik. Kanë qenë më të fortë, kanë ndodhur natën.

Jemi të qetë që është një aktivitet që i përket zonës.

Jemi në kufijtë e një aktivitet që është i lidhur me sforcimin që ka ardhur për shkak të gjeodinamikës së rajonit”, tha Dushi.

Ai u shpreh se tërmetet i monitorojnë, por nuk mund t’i përcaktojnë, pasi ato ndodhin nga natyra, por kanë edhe një poriodicitet.

Dushi solli në vëmendje tërmetin që ka ndodhur në Korçë më 1960 me magnitudë 6 ku ka pasur edhe pasoja.

“Kemi një lëvizje permanente që ne e dimë. Ne e monitorojmë këtë. Por ndodhja e tërmeteve nuk është e lidhur në mënyrë të qartë mes akumulimit të këtyre sot.

Në zona të caktuar lëvizja është e ndryshme, por historia sizmike ka treguar që tërmetet ndodhin kur e kanë të caktuar nga natyra dhe kanë një periodicitet.

Në Shqipëri tërmetet të moderuara 4-4.5 ndodhin çdo vit.
Tërmetet mbi 5-5.5 ndodhin njëherë 2-3 vjet dhe tërmetet mbi 6 ballë kanë një periudhë mbi 40 vjet.

Në zona ku bien tërmete të tilla, si ajo e Durrësit mendohet se pas një periudhe të tillë ne të kemi një akumulim të të njëjtës sasi energjie. Kjo nuk do të ndodhë se zona të tjera, si Korça, Vlora apo Elbasani të mos kenë akumulime të vazhdueshme dhe të paraprijnë një tërmet tjetër në Shqipëri.

Duhet të kemi parasysh që në periudhën e viteve mes viteve ‘60-80 kemi pasur disa tërmete me magnitutë mbi 6. Përmendim atë të Korçës më 1960 që ka pasur një magnitutë 6. Ka pasur dëme në këtë rajon”, deklaroi sizmologu.