8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Është koha për të vlerësuar arritjet e grave, për të kërkuar barazi dhe për të luftuar për të drejtat dhe liritë themelore.
Në Shqipëri, ndonëse është bërë progres në barazinë gjinore, ka ende dallime të mëdha, sidomos kur krahasohet “fuqia” ekonomike. Burrat paguhen më shumë se gratë dhe dominojnë pozitat drejtuese të biznesit, megjithëse gratë kanë nivele më të larta të arsimit universitar.
Në të kundërt, pesha e grave në politikë është rritur, ku një pjesë e konsiderueshme e kabinetit përbëhet nga ministre.
Numri i ministrave është rritur gjithnjë e më shumë. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre femra, duke u renditur ndër 10 vendet më të mira në botë ku gratë kanë pushtet të madh politik. Në nivel global, vetëm 14 vende kanë të paktën 50% gra që mbajnë poste ministrore në kabinetin kombëtar, bazuar në të dhënat nga UN Women dhe Unioni Ndërparlamentar (IPU).
Megjithatë, Kuvendi dominohet nga meshkujt, pasi ata përbëjnë rreth 65% të totalit të deputetëve, sipas INSTAT, edhe pse pesha e deputeteve femra ka ardhur në rritje. Në vitin 2021, shkalla e pjesëmarrjes së grave është 35.7%. Në mesin e tetë komisioneve parlamentare, pjesëmarrjen më të madhe të grave e kanë “Komisioni për Punë, Çështje Sociale dhe Shëndetësi” dhe “Komisioni për arsim dhe informim publik”, përkatësisht 61,9% dhe 57,9%.
Në Evropë, sipas Eurostat-it, Suedia ka përqindjen më të lartë të grave në Parlament, me rreth 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më e ulëta, Hungaria dhe Malta me 13% secila.
Më pak gra pronare biznesi
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, 24.1% e sipërmarrjeve në vitin 2021 kishin pronare apo administratore femër, me një rënie prej 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Përqindja e grave pronare ishte më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 punonjës) me 24.2%.
Kjo përqindje është shumë më e ulët se mesatarja evropiane prej 35%, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Përqindjen më të lartë e ka Letonia (46%), e ndjekur nga Polonia dhe Suedia përkatësisht (43%) dhe Estonia (41%).
Shqipëria është e treta nga fundi. Pas vendit tonë, përqindjet më të ulëta të grave menaxhere janë regjistruar në Qipro (21%) dhe Luksemburg (22%).
Në vend, numri më i madh i femrave sipërmarrëse dhe administratore është në Tiranë, me 32,2% të totalit dhe më i ulëti në Berat, me 15,5%.
Burrat paguhen më mirë, por gratë në menaxhim i kalojnë
Paga mesatare mujore bruto e grave në vitin 2021 ishte 55 760 lekë, sipas të dhënave të INSTAT. Krahasuar me një vit më parë, pagat e grave janë 7.9% më të larta.
Në përgjithësi, gratë në vend paguhen më pak se burrat. Në vitin 2021, hendeku ishte 4.5%, pra paga mesatare e grave në vend është 4.5% më e ulët se ajo e burrave (kjo e fundit në vitin 2021 ishte mesatarisht 58.4 mijë lekë).
Krahasuar me një vit më parë, kur ishte 6.5%, hendeku është ngushtuar, pasi pagat e meshkujve u rritën me një ritëm më të ulët se ato të femrave (3.4%, krahasuar me gati 8%).
Ekziston vetëm një profesion ku femrat i kalojnë meshkujt. Nëse je “Menaxheri Administrativ dhe Tregtar” paguhesh mesatarisht 172 mijë lekë në muaj, ose gati 12% më shumë se i njëjti pozicion për meshkujt (këta të fundit marrin mesatarisht 154 mijë lekë në muaj).
Menaxherët administrativë dhe tregtarë janë grupi i profesioneve më të paguara në vend, për të dyja gjinitë. Krahasuar me një vit më parë, për këtë grup profesioni, pagat e drejtuesve meshkuj u rritën me ritme më të larta se ato të femrave, duke ngushtuar diferencën, krahasuar me 17% që ishte në vitin 2020.
Profesioni i dytë më i paguar si për meshkujt ashtu edhe për femrat është “Menaxheri i prodhimit dhe shërbimeve të specializuara”, por më të paguarit janë meshkujt, të cilët marrin mesatarisht 130 mijë lekë në muaj ose gati 14% më shumë se gjinia tjetër.
Nga 37 grupe profesionesh, për të cilat INSTAT raporton të dhëna, vetëm për tre prej tyre (Punonjës në profesionet e elektroteknologjisë; Drejtues administrativë dhe tregtarë; Punonjëse të përpunimit të metaleve dhe montimit të makinerive), gratë paguhen më shumë. Për dy të tjerët pagat janë pothuajse të njëjta (Ligjvënësit, nëpunësit e lartë civilë dhe drejtorët ekzekutivë; Punëtorët e shërbimit dhe mbështetës). Në kategoritë e tjera dominojnë meshkujt – (Shih grafikun: Paga mesatare bruto mujore sipas grupeve të profesioneve dhe gjinisë).
Burrat paguhen më shumë, por gratë janë më të arsimuara me arsim të lartë
Edhe pse në përgjithësi meshkujt paguhen më shumë se femrat, këta të fundit kanë më shumë gjasa të përfundojnë arsimin e lartë.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, rreth 19.5% e grave mbi 25 vjeç në vend kishin përfunduar arsimin e lartë, krahasuar me 16.9% të meshkujve. Vitet e fundit, rritja e peshës së vajzave që zgjedhin të ndjekin universitetin është më e lartë se ajo e meshkujve.
Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2020-21 ishte afërsisht 33,000 studentë, ndër të cilët vajzat përbënin 66,1%. Përqindja e femrave të diplomuara krahasuar me një vit më parë është rritur me 0.8 pikë përqindje.
30.2% e femrave të diplomuara ishin në “administrim biznesi dhe ligje”, krahasuar me 29.7% të meshkujve. “Shëndet dhe mirëqenie” është dega e dytë më e preferuar, me 18,3% të totalit, ndërsa për meshkujt është “inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”, me 18,9%.
Kursimet i mbajnë burrat
Sipas INSTAT-it në vitin 2021 në sektorin familjar kishte gjithsej 3.5 milionë llogari depozitash, nga të cilat 57% mbaheshin nga meshkujt.
Në të njëjtën linjë, janë burrat ata që mbajnë më shumë përgjegjësi për marrjen e një kredie. Nga rreth 400 mijë kredi të marra nga familjarët, 57% e tyre ishin në emër të meshkujve.
Gratë jetojnë më gjatë
Për shkak se ato jetojnë më gjatë, mosha mesatare e grave në Shqipëri është më e lartë se ajo e burrave.
Në vitin 2022, mosha mesatare e grave shqiptare arriti në 39.1 vjeç (mosha mesatare do të thotë se 50% e grave janë nën këtë moshë dhe 50% mbi këtë moshë), duke u rritur me gati 11 muaj në vit, raportoi INSTAT.
Ndërsa mosha mesatare e meshkujve ishte 37.3 vjeç ose 2.3 vjet më e ulët se femrat. Mosha mesatare e meshkujve në Shqipëri, si kudo në botë, është më e ulët se ajo e femrave, sepse ata kanë një jetëgjatësi më të ulët prej të paktën 5 vitesh.
Mosha mesatare e popullsisë në vendin tonë po rritet me shpejtësi nga viti në vit, duke sinjalizuar plakjen e popullsisë. Gjatë një viti, mosha mesatare për të dy gjinitë është rritur pothuajse me një vit, ndërsa në 10 vitet e fundit është rritur me 4.6 vjet për gratë dhe 5.5 vjet për burrat.
Si burrat ashtu edhe gratë në Shqipëri punojnë më gjatë në Evropë
Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Europë, që arrijnë deri në 50 orë në javë, sipas një raporti të Eurofund për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen, ku përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve.
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27, burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.