Ambasadorja amerikane Yuri Kim ditën e sotme ka marrë pjesë në aktivitetin e USAID “Drejtësi për të gjithë”, ku gjatë fjalës së saj ka theksuar nevojën e Reformës në Drejtësi.
Ajo tha se SHBA e mbështet plotësisht këtë reformë dhe ajo personalisht është angazhuar që shqiptarët të kenë një të ardhme më të drejtë, të sigurt dhe demokratike.
“Më lejoni të jem e qartë: SH.B.A. e mbështet plotësisht reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe aspiratat e anëtarësimit të saj në BE. Ne jemi me ju krah për krah. Unë jam angazhuar personalisht si përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të bërë gjithçka që mundem për të promovuar këtë reformë si një mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët. Projekti “Drejtësi për të gjithë” ka qenë njëri prej angazhimeve të shumta të SHBA-ve për të mbështetur reformën në drejtësi të Shqipërisë. Mbështetja jonë do të vazhdojë”. Ambasadorja Yuri Kim sot gjatë Aktivitetit të USAID “Drejtësi për të gjithë”, i cili shënoi përparimet në reformën në drejtësi”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.